I infektuari nga Kamenica pretendon se bëri shaka kur tha se “nuk e ndal as virusi”

I infektuari nga Kamenica pretendon se bëri shaka kur tha se “nuk e ndal as virusi”

Individi nga fshati Topanicë e Kamenicës, i cili doli pozitiv në testimet për virusin COVID-19, ka shkaktuar huti te qytetarët me publikimin e një fotoje në rrjetet sociale.

Ai u konfirmua me koronavirus të hënën, ndërkaq publikoi fotografinë të mërkurën, ku ka shkruar se nuk e ndal as virusi e as ora policore. Por, foton ku shihet rruga përmes një xhami të një automjeti, duket se personi në fjalë e ka shkrepur më herët, pasi ai është duke u trajtuar në Klinikën Infektive të QKUK-së.

Se fotoja nuk është publikuar të mërkurën, ka thënë për Gazetën Express edhe vetë personi i prekur me COVID-19.

“Jo jo nuk është e vërtetë, fotoja është e vjetër, e kam postu vetëm si shaka. Nëse e kisha ditë që kam koronavirus nuk kisha dalë prej shtëpisë, se 10 anëtarë të familjes m’i ka prekë. Unë jam në spital, prej që më kanë pru këtu me ndihmë të shpejtë unë nuk kam dalë, as rezën e derës nuk e kam prekë”, ka deklaruar ai.

Edhe nga Klinika Infektive e QKUK-së kanë thënë për Express se banori i Topanicës së Kamenicës i cili është prekur me COVID-19, po qëndron i shtrirë në Infektivë.

“Pacienti në fjalë ka rezultuar si pozitiv me COVID-19, ai për momentin gjendet në Klinikën Infektive”, ka thënë  infektologu Valbon Krasniqi.

Shpërndaje në: