I infektuari nga Kamenica që shpërfilli urdhërat e shtetit, kishte shkuar edhe te berberi në një fshat tjetër

I infektuari nga Kamenica që shpërfilli urdhërat e shtetit, kishte shkuar edhe te berberi në një fshat tjetër

Kryetari i këshillit të fshatit Topanicë, Jetulla Zubaku, ka thënë se 11 rastet që rezultuan pozitiv me COVID-19 të mërkurën, përveç një personi, janë familjarë të B.M, që rezultoi pozitiv me koronavirus të hënën.

Zubaku, në një bisedë telefonike me Insajderin mëngjesin e së enjtes, u shpreh se personi i vetëm që nuk është pjesëtar i familjes së B.M., e që është infektuar me COVID-19, kishte pasur kontakt me familjen e B.M. në shtëpinë e tij.

B.M. dhe vëllai i tij, sipas Jetulla Zubaku, kishin shkuar për të kryer punë në shtëpinë e njërit prej 12 të infektuarve nga fshati Topanicë e Kamenicës.

“Janë të gjithë pjesë e familjes së B.M.. Vetëm një është jashtë familjes, tek familja e të cilit ka qenë B.M me vëllanë e tij. Kanë shkuar për të punuar, se B.M. është edhe moler. Ka qenë edhe B.M, por atë e kanë përzënë”, është shprehur kryetari i këshillit të fshatit Topanicë.

Jetulla Zubaku ka deklaruar se B.M. gjatë periudhës 19 deri më 29 mars, prej kur ishte kthyer së fundmi nga Gjermania, kishte shkuar edhe në fshatin Roganë të Komunës së Kamenicës – rreth 10 kilometra larg fshatit Topanicë.

Sipas kryetarit të fshatit, B.M. kishte shkuar në Roganë për të vizituar një berber.

“E di që ky ka pasur kontakte në fshatrat Rogoçicë, Karaçevë, por edhe në qytetin e Kamenicës. Në fshatin Rogoçicë ka shku me u qethë dhe me një market. Ndërkaq, në Kamenicë e kanë parë tek marketi Viva”, ka thënë Zubaku.

B.M. kishte hyrë në Kosovë më 19 mars. Ishte kontrolluar nga autoritetet kosovare në pikën kufitare në Dheun e Bardhë dhe i kishin rekomanduar të qëndronte në vetë-izolim.

Mirëpo, ai dyshohet se ka shkelur urdhrat e institucioneve.

 

Shpërndaje në: