I kërkoi 50 euro qytetarit për t’ia kthyer librezën e qarkullimit, arrestohet polici

I kërkoi 50 euro qytetarit për t’ia kthyer librezën e qarkullimit, arrestohet polici

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se kanë arrestuar një zyrtar policor nën dyshimin për veprën penale “Marrje e ryshfetit”.

Sipas njoftimit, më 29 prill, IPK-ja përmes rrugëve operative është informuar lidhur me një rast ku dyshohet se një zyrtar policor me datën 28 prill të këtij viti në udhëkryqin e rrugës “Lidhja e Prizrenit” afër udhëkryqit me rrugën “Ilir Konushefci” në Prishtinë, gjersa ishte duke u marrë me një aksident trafiku i ka kërkuar nga një i dyshuar 50 euro ryshfet, për t’ia kthyer librezën e qarkullimit.

“Inspektorati Policor i Kosovës me datën 29 Prill 2022, përmes rrugëve operative  është  informuar lidhur me një rast ku dyshohet se një zyrtar policor me datën 28.04.2022 në udhëkryqin e rrugës Lidhja e Prizrenit afër udhëkryqit me rrugën “Ilir Konushevci” në Prishtinë gjersa ishte duke u marrë me një aksident trafiku kishte kërkuar ryshfet shumën prej 50 € (pesëdhjetë eurove)  nga një i dyshuar  (qytetar) që të ja kthente librezën e qarkullimit, e ku i dyshuari zyrtari policor  me datën 28.04.2022, rreth orës 23:00, para Stacionit Policor Veriu në Prishtinë, ja dorëzon të dyshuarit (qytetarit)  në kundër vlerë prej 50 eurove librezën e qarkullimit”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Mbi bazën e këtyre dyshimeve, është informuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe me autorizim të tij janë ndërmarrë veprime të tjera të nevojshme lidhur me zbardhjen e rrethanave të rastit, intervistimin e personave të involvuar në këtë çështje dhe me udhëzim të prokurorit kujdestar, zyrtari policor është dërguar në mbajtje për 48 orë me dyshimin për veprën penale “Marrje e ryshfetit”, ndërsa qytetari i dyshuar për veprën penale “Dhënie e ryshfetit” është proceduar në procedurë të rregullt.

Po ashtu, hetuesit e IPK-së më datë 30 prill kanë dorëzuar kallëzim penal pranë Prokurorisë Themelore – Prishtinë ndaj zyrtarit policor për veprën penale “Marrje e ryshfetit” dhe qytetarit për veprën penale “Dhënie e ryshfetit”.

Shpërndaje në: