I nxehti madh, rriten rastet për trajtim në Shtëpitë e shëndetit

I nxehti madh, rriten rastet për trajtim në Shtëpitë e shëndetit

Temperaturat e larta të ditëve të fundit në vendin tonë kanë shtuar edhe kërkesat e pacientëve për trajtim në qendrat e mjekësisë familjare.

Xhemshit Vllasaliu- qytetar thotë së i nxehti po e mundon, andaj ai zuri një hije në sheshin e Prishtinës.

“Temperaturat pak me vështirësi pasi edhe i kam 78 vjet. Përpara e kemi pasur pranverën, verën dhe vjeshtën. E tash me duket që e kemi vetëm verë edhe dimër. Me e keqja që s’po kemi edhe ku me shku, ku me u fresku”, tha Vllasaliu.

Kurse Tahir Azemi ka gjetur një mënyrë tjetër për t’u freskuar.

“Zheg pak, thash ta freskoj fytin. Mirë është koha amo tash nuk mujna me rregullu kohën qysh e ka rregulluar ai nalt. Nata e ftohtë e dita pak ma e nxehte po nuk kemi qa me ba”, tha Tahir Azemi- qytetar.

Ajtene Pajaziti, specialiste në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë thotë se si pasojë e ngritjes së temperaturave, janë shtuar edhe rastet të cilat po kërkojnë ndihmë në këtë qendër. Ajo foli edhe për kategoritë më të rrezikuara nga i nxehti.

“Me rritjen e temperaturave janë shtuar edhe rastet sidomos të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike. Kjo, për shkak se ka pasur ngritje të temperaturave përnjëherë. Kemi pasur persona me shtypje te gjakut, plogështi, lodhje të cilët kanë kërkuar ndihmë”, tha Ajtene Pajaziti- specialiste familjare ne QKMF, Prishtinë.

Ajo dha edhe këshilla se si duhet të mbrohemi nga temperaturat e larta dhe kohën se kur duhet të kemi më së shumti kujdes.

“I kisha këshilluar të gjithë, sidomos ata me sëmundje kronike që në mesditë të mos i ekspozohen temperaturave të larta veçmas prej 11:00-14:00”,  tha Ajtene Pajaziti- specialiste familjare ne QKMF, Prishtinë.

Kurse, Besim Aliu nga Institutit Hidrometeorologjik i Kosovës bëri të ditur parashikimet e motit gjatë këtyre muajve.

“Sipas parashikimeve afatgjate, temperaturat do të jenë bukur të larta në këtë verë krahasuar me verën e kaluar”, tha Aliu.

Edhe shkollat fillore në Prishtinë, siç mëson RTK, do të punojnë me orar të shkurtuar këtë javë për shkak të temperaturave të larta.

Shpërndaje në: