I preferuari i Vetëvendosjes për Drejtor të Agjencisë Kundër Korrupsionit në konflikt interesi (Dokumente)

I preferuari i Vetëvendosjes për Drejtor të Agjencisë Kundër Korrupsionit në konflikt interesi (Dokumente)

Kuvendi i Kosovës ka publikuar agjendën për 24 dhjetor 2021, ku përfshihet si pikë e nëntë e rendit të ditës edhe zgjedhja e Drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Demokracia.com ka bërë një hulumtim të profilit të kandidatëve për këtë pozitë dhe ka gjetur se njeriu i Vetëvendosjes, Yll Buleshkaj, që nga viti 2019 është në konflikt interesi, pasi që i njëjti ka të deklaruar biznes në ARBK dhe figuron si “përfaqësues i autorizuar”.

Në nenin 15 të Ligjit nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, siç ka vërejtur Demokracia.com, përcaktohet se:

 “1.Zyrtari i lartë nuk mund të ushtrojë në mënyrë aktive të drejtën e administrimit dhe drejtimit në një ndërmarrje, pavarësisht nga fusha e veprimtarisë së saj.

2. Zyrtari i lartë, pronari i aksioneve, gjegjësisht pjesës së kapitalit në një ndërmarrje, gjatë ushtrimit të funksionit publik, duhet t’i transferojë të drejtat e administrimit ose menaxhimit, apo drejtimit tё ndërmarrjes tek ndonjë person i besuar.

3. Zyrtari i lartë është i obliguar që në afat prej tridhjetë (30) ditësh nga zgjedhja, vendosja ose  emërimi në detyrën publike, të bëjë transferimin e të drejtave në udhëheqjen e ndërmarrjes në personin e besuar kurse brenda afatit prej pesë (5) ditësh nga data e transferimit të këtyre të drejtave ta njoftojë me shkrim Agjencinë mbi personin e besuar dhe evidencën e transferimit të  të drejtave të menaxhimit.

Po ashtu, neni 13 i këtij ligji ka përcaktuar papajtueshmërinë me funksionin publik, ku theksohet se zyrtari i lartë nuk mund të jetë menaxher, përfaqësues i autorizuar ose anëtar i ndonjë organi menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridikë privatë, fitimprurës sipas ligjit përkatës për shoqëritë tregtare dhe organizatat joqeveritare, përjashtuar subjektet e përcaktuara në nenin 14 të këtij ligji, subjektet politike dhe rastet kur një funksion i tillë i dedikohet me ligj për shkak  të funksionit, raporton Demokracia.com.

 

Buleshkaj që pretendon ta udhëheq Agjencinë Kundër Korrupsionit, e cila trajton dhe parandalon konfliktin e interesit, është vetë në situatë të konfliktit të interesit.

Aktualisht, Buleshkaj mban pozitën e Drejtorit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe ka të deklaruar biznesin e tij, kurse në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve figuron si përfaqësues i autorizuar që bie në kundërshtim me ligjin, pasi që nuk i ka transferuar të drejtat e administrimit ose menaxhimit, apo drejtimit tё ndërmarrjes tek ndonjë person i besuar gjatë ushtrimit të funksionit publik, siç përcaktohet me nenin 15 paragrafi 2.

I preferuari i Lëvizjes Vetëvendosje për drejtor të AKK-së, Yll Buleshkaj, si duket nuk ka as njohuri bazë për mandatin e këtij institucioni, duke i shpërfillur detyrimet ligjore si zyrtar i lartë dhe shkelur ato ende po u bërë drejtor.

Mosveprimi sipas dispozitave të Ligjit nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, që të shmanget nga situatat e konfliktit të interesit, përbën vepër penale sipas nenit 417 të Kodit Penal të Kosovës.

Nuk dihet nëse Kuvendi i Kosovës do ta rishikojë rekomandimin e Komisionit për Legjislacion para se të votojë për raportin me rekomandim për votim të kandidatit.

Yll Buleshkaj ishte bërë i njohur para zgjedhjeve të 14 shkurtit, kur po vendosej për ‘fatin e Albin Kurtit’ në listën zgjedhore të Vetëvendosjes.

KGjK i kishte rekomanduar KQZ-së, që kandidatët me vepra penale, të mos certifikoheshin, ashtu siç e kërkonte edhe ligji.

Mes këtyre emrave ishte edhe numri një në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ndërsa, Buleshkaj nga Zyra për Regjistrimin e Partive Politike, në kundërshtim me vendimin e KGjK-së, insistonte që të certifikoheshin edhe kandidatët me vepra penale.

Këtë rekomandim, Buleshkaj e justifikonte duke thënë se nuk kishin pasur kohë t’i shqyrtonin të gjitha rastet. Buleshkaj, me përkrahjen e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, aktualisht është pretendenti kryesor për Drejtor të Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Kujtojmë se Periskopi kishte qenë mediumi parë që kishte  raportuar se favoriti dhe i pari me pikë deri tani për pozitën si Drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit është Yll Buleshkaj.

Shpërndaje në: