I rrethojnë forcat ukrainase, Rusia tërheq trupat nga Limani

I rrethojnë forcat ukrainase, Rusia tërheq trupat nga Limani

Rusia njoftoi se ka tërhequr trupat nga qyteti i Limanit, pas një kundërofensive të Ukrainës që synon të rimarrë territoret e pushtuara nga Moska.

Njoftimi u bë nga agjencitë ruse të lajmeve Tass dhe RIA, që citonin ministrinë ruse të Mbrojtjes. Limani shtrihet 160 kilometra në juglindje të Kharkivit, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës.

Qyteti konsiderohej si një pikë e rëndësishme për trupat ruse, si për komunikimet tokësore ashtu dhe për logjistikën. Tashmë Ukraina ka gjasa të vazhdojë të përparojë më tej, potencialisht në rajonin e pushtuar të Luhanskut, i cili është një nga katër rajonet që Rusia shpalli aneksoi të premten.

Forcat ukrainase mbërritën të shtunën në Liman duke rrethuar me mijëra trupa ruse, që sipas një zëdhënësi të forcave lindore të Ukrainës llogariteshin në rreth 5.500 (trupa).

Marrja e Limanit konsiderohet një goditje e fortë për Rusinë.

Të shtunën, kanali Telegram i ministrisë publikoi një seri mesazhesh urimi, përfshirë një nga presidenti Putin, për të shënuar Ditën e Forcave ushtarake Tokësore.

Sot Ministria britanike e Mbrojtjes bëri të ditur se raketa e përdorur për të goditur ndaj një autokolonë humanitare në Ukrainë “ka të ngjarë të ishte një raketë ruse me rreze të gjatë veprimi”.

Në raportin e zbulimit britanik të postuar në Twitter, shtohej se përdorimi i një “burimi të tillë me vlerë të madhe” në sulmin pranë Zaporizhias “është nxitur pothuajse me siguri të plotë, nga mungesa e përgjithshme e municioneve, veçanërisht raketave me saktësi të lartë, me rreze të gjatë veprimi”.

Në raport thuhej gjithashtu se sulmi i së premtes në ditën kur presidenti rus Vladimir Putin shpalli aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës, rezultoi “në vrasjen nga trupat ruse të civilëve që Moska pretendon tashmë se janë qytetarë të saj”.

Sulmi ndodhi pranë qyteteve të Zaporizhias dhe Mikolaivit. Si pasojë u vranë rreth 26 persona dhe u plagosën rreth 40 të tjerë. Në aumjetet e goditura udhëtonin njerëz që ishin nisur drejt zonave të pushtuara, për të shpëtuar familjarë të tyre.

Në një mesazh në rrjetin social Telegram Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, shkruante se: Do të përgjigjemi patjetër për çdo jetë të humbur ukrainase!”.

Të premten në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Rusia i vendosi veton një projektrezolute e cila i cilësonte referendumet ruse në Ukrainë si “të paligjshme”.

Dhjetë vende e mbështetën rezolutën, mes tyre Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë, vende që paraqitën rezolutën në Këshillin e Sigurimit.

Kina, Gaboni, India dhe Brazili abstenuan ndërsa Rusia ishte i vetmi vend që votoi kundër rezolutës.

Ambasadorja amerikane në OKB Linda Thomas-Greenfield tha se nëse Rusia zgjedh t’i shmanget përgjegjësisë, do të ndërmarrim hapa të mëtejshëm në Asamblenë e Përgjithshme për t’i dërguar një mesazh Moskës se bota është ende në anën e mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial”.

Shefi i Grupit Ndërkombëtar të Krizave Richard Gowan, tha se diplomatët perëndimorë e dinin se Rusia do të vendoste veton ndaj rezolutës, por ai shtoi se dokumenti ishte menduar si një prelud për të mbajtur një votim në Asamblenë e Përgjithshme për të dënuar veprimet e Rusisë.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara “punuan shumë për të siguruar ambstenimin e Kinës”, një veprim që ai tha se ishte i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara “për të treguar se Pekini nuk e mbështet Moskës”.

Në komentet para votimit, ambasadori rus Vassily Nebenzia tha se rezoluta nuk ishte “asgjë më shumë se një provokim i ulët” duke shtuar se banorët e rajoneve ku u mbajtën referendumet “kanë bërë një zgjedhje të informuar dhe të lirë”./Voa

Shpërndaje në: