Ia huq Vjosa Osmani: Kërkon të zbardhet vrasja e Ukë Bytyqit por vrasësi është në burg

Ia huq Vjosa Osmani: Kërkon të zbardhet vrasja e Ukë Bytyqit por vrasësi është në burg

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar ish-kryetarin e komunës së Suharekës Ukë Bytyçin në 18 vjetorin e vrasjes.

Por ajo që bie në sy është huqja që ka bërë në këtë rast Vjosa Osmani, shkruan Periskopi.

Osmani ka shkruar se duhet të zbardhet vrasja e Ukë Bytyqit, gjë që tregon se ajo nuk ka informacion se vrasësi i Ukë Bytyçit është në burg.

“Liria e vendit do të mbetet e paplotë për aq kohë sa këto vrasje politike do të jenë të pazbardhura.”, ka shkruar Osmani ndër të tjera.

Kujtojmë që vrasësi i Bytyçit ishte dënuar me 20 vite burg.

Postimi i plotë i Osmanit:

Sot, në 18-vjetorin e vrasjes, ne e kujtojmë kryetarin e Suharekës, Ukë Bytyqin, udhëheqësin e jetës politike e institucionale në Suharekë, bashkëmendimtarin e bashkëveprimtarin e presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës. E kujtojmë familjarin e mirë e prijësin e urtë, i cili Suharekës e suharekasve ua dha modelin e prijësit guximtar e të vendosur, jo vetëm për organizimin e jetës paralele gjatë lëvizjes për pavarësi, në vitet ’90, duke qenë prijës i LDK-së në këtë komunë, por edhe për organizimin e luftës, duke marrë pjesë në organizimin e celulave të para të UÇK-së, dhe pas luftës, kur mori përsipër t’u printe qytetarëve të këtij qyteti në ndërtimin e jetës institucionale e politike.

Guximi e vendosmëria, urtia e fjala e peshuar e shndërruan Ukën në njeri të besueshëm për qytetarët e Suharekës dhe gjithë Kosovës. Së bashku me përcjellësit e tij, Bafti Bajramin e Bajram Bytyçin, ai u vra pikërisht sepse po i promovonte idealet për të cilat u sakrifikuan breza të tërë atdhetarësh: jetën e lirë e shtetin e konsoliduar, në të cilin respektohen liritë dhe të drejtat njerëzore, përfshirë edhe të drejtën e votës së lirë e të manifestimit paqësor, të cilat konsiderohen fundament i shtetësisë.

Liria e vendit do të mbetet e paplotë për aq kohë sa këto vrasje politike do të jenë të pazbardhura.

 

Shpërndaje në: