Ibra sulmon rëndë Man Unitedin: Më ndalën 1 euro nga rroga pasi mora një lëng frutash në hotel

Ibra sulmon rëndë Man Unitedin: Më ndalën 1 euro nga rroga pasi mora një lëng frutash në hotel

Zlatan Ibrahimovic nuk është sprapsur aspak në lidhje me kohën e tij te Manchester Unitedi në autobiografinë ‘Adrenalinë’.

40-vjeçari, i cili luan me Milanin në Serinë A, kujton se klubi anglez i ka mbajtur nga paga 1 euro për faktin se në hotel kishte marrë nga minibari një lëng frutash.

“Isha në hotel me skuadrën dhe kisha etje, kështu që shkova te minibari dhe mora një lëng frutash. Kaluan disa ditë dhe erdhi koha për të marrë pagën. Zakonisht nuk e shoh sa më kanë kaluar në llogari, e shoh vetëm në fund të vitit. Mirëpo, në këtë rast e pashë dhe vura re se nga rroga më mungonte 1 euro”, tregon sulmuesi suedez.

“Telefonova menaxherin e skuadrës dhe i thashë pse më kanë hedhur një euro më pak. Më tha se 1 euro ishte zbritur për shkak të lëngut të frutave që kisha marrë në hotel. Mendova se po bënte shaka, por më tha se te United çdo gjë paguhej. U irritova sepse unë nuk shkova në hotel për pushime, por po përfaqësoja United.

Isha prej punës në atë hotel. Nëse puna ime është të luaj futboll, duhet të pi lëngje. Nuk luaj dot i dehidratuar. Nuk më besohej që më mbajtën 1 euro, diçka e tillë nuk do të kishte ndodhur kurrë në Itali. Këto janë detaje që bëjnë diferencën mes klubeve”, kujton Ibrahimovic.

Futbollisti veteran kishte edhe një problem tjetër nga periudha kur luante për United: rojën e qendrës stërvitore.

“Çdo ditë, kur shkoja në qendrën stërvitore të klubit, duhej të tregoja dokumentet në mënyrë që të hyja. Një ditë, ula xhamin e makinës dhe i thashë personit te dera se unë isha lojtari kryesor i skuadrës dhe nëse nuk më njihte, atëherë duhet të ndërronte profesion”, tregon Zlatan.

 

 

Shpërndaje në: