Identifikohen dy personat që humbën jetën në minierën e Artanës

Periskopi.com Lajme

Dy persona kanë humbur jetën dhe të tjerë kanë marrë lëndime të lehta, si pasojë e shembjes se dheut sot në Minierën e Artanës. Dy personat që kanë humbur jetën vazhdojnë të jenë të ngujuar në minierë ndërkohë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e FSK-së, Policisë së Kosovës, zjarrfikësit.

KosovaPress mëson se bëhet fjalë për një minator dhe një inxhinier që kanë shërbyer në këtë minierë.

Ndërsa MEPTINIS ka bërë të ditur edhe identifikimin e viktimave.

“Shprehim keqardhje të thellë për fatkeqësinë e ndodhur sot, me 2 qershor, në minierën e Artanës ku kanë humbur jetën Idriz Gerbeshi dhe Haki Arifaj. Idriz Gerbeshi ka qenë xehetar me banim në Hajvali, ndërsa Haki Arifaj inxhinier i diplomuar i xehetarisë nga fshati Gllogovc, Komuna Lipjan. Ngjarja ka ndodhur me shembjen e pa pritur të masës shkëmbore në minierën Artana. Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike u shpreh ngushëllime të gjithë familjarëve dhe shoqërisë së të ndjerëve. Autoritetet e Republikës së Kosovës po angazhohen maksimalisht për t’u dalë në ndihmë të gjithë minatorëve dhe familjarëve të prekur. Nga ky aksident nuk kanë mbetur punëtorë të tjerë mbetur brenda i ngujuar”, thuhet në njoftimin e MEPTINIS-it.

Ngjarja tragjike ka ndodhur mëngjesin e së martës ku në një nga horizonte e Minierës së Artanës ka pasur shembje të dheut.

Dy personat që kanë humbur jetën ishin brenda derisa një pjesë e minierës u shemb.

Të Miniera e Artanës aktualisht janë edhe Xhelal Sveçla, ushtrues detyre i ministrit të Brendshëm dhe Rozeta Hajdari ministër i Ekonomisë, Punësimit, Ndërmarrësisë.

Deri tani nuk ka ndonjë informacion tjetër ose shkak qe ka dërguar deri të ky aksident, veçse po punohet në nxjerrjen e trupave.

 

Shpërndaje në: