Ideologu i VV-së: Vjosa Osmani nuk doli të jetë më e fuqishme se sa Isa Mustafa

Ideologu i VV-së: Vjosa Osmani nuk doli të jetë më e fuqishme se sa Isa Mustafa

Ideologu i nderuar i Vetëvendosjes, Hysamedin Feraj, ka bërë një postim tjetër që arsyeton humbjen në zgjedhjet e 17 tetorit duke argumentuar që individi nuk mund të jetë mbi partinë.

Ai ka kritikuar kritikët e Vetëvendosjes që e akuzonin këtë parti për ndërtimin e kultit të personalitetit ndër vite.

Feraj ndër tjera në këtë shkrim të gjatë konsideron që partitë opozitare me moton “voto individin, jo partinë” në një formë i mashtruan votuesit e Vetëvendosjes, përcjell Periskopi.

“Nuk ka pasur kandidat më të fuqishëm e më të votuar si individ sesa Vjosa Osmani brenda LDK-së. Megjithatë nuk doli të jetë më e fuqishme sesa Isa Mustafa dhe LDK-ja.” – ka thënë më tej z. Feraj, pa sqaruar mirë kontekstin e kësaj fjalie.

“Mirëpo edhe filmat e hershëm fantastikë amerikanë, me superheroin e vetmuar që e shpëtonte si individë botën,  i kanë lënë vendin filmave ku superheronjtë po detyrohen të bashkohen në skuadër…” – shprehet më tej Feraj, ani pse nuk është e qartë nëse kjo vlen edhe për z. Albin Kurti që konsiderohet nga VV si i vetmi i pazëvendësueshëm në parti.

Statusi i plotë:

Nga slogani “individi nuk është mbi partinë”, kur donin me i “ndriçu militantët” e LVV-së kundër Albin Kurtit, të njëjtët kaluan te slogani “individi është mbi partinë”! Prandaj këshilluan: përkundër Albin Kurtit, zgjidhni individin, jo partinë.

■ Partitë janë institucion demokratik. Së paku nga teoritë neo-institucionaliste dihet që përgjithësisht partitë janë garanti për sjelljen e kandidatit. Prandaj më e mençur është t’i besohet a mosbesohet garantit sesa individit. Sepse sjellja e kandidatit mbasi zgjidhet ende përcaktohet në masën më të madhe nga programi dhe nga karakteri i partisë që e kandidon.

■ Megjithkëtë, me moton “voto individin, jo partinë”, kandidatët dhe partitë e opozitës kishin arsye të luajnë lojën e distancimit nga njeri tjetri. Kandidatët e LVV-së nuk kishin arsye dhe nuk u distancuan nga partia që i kandidonte. Por, kush e mori për “mençuri” këshillën e opozitës, e votoi opozitën, me argumentin se nuk e votuan atë por kandidatin e saj! Duket sheshit se kjo “mençuri” është ai pohim që në çdo gjuhë quhet me të një kuptimshmen e fjalës shqipe “budallëk”, gjegjësisht, në anglisht “stupidity”, në gjermanisht “Dummheit”, etj.

■ Veç teorive, as përvoja nuk u mësoi gjë. Nuk ka pasur kandidat më të fuqishëm e më të votuar si individ sesa Vjosa Osmani brenda LDK-së. Megjithatë nuk doli të jetë më e fuqishme sesa Isa Mustafa dhe LDK-ja. E prapëseprapë ka votues që besojnë që, për shembull, Ardian Gjini do të jetë më i fuqishëm sesa Ramush Haradinaj dhe AAK, Mimoza Kusari më e fuqishme sesa Albin Kurti dhe LVV, ose Përparim Rama më i fuqishëm sesa Lumir Abdixhiku dhe LDK!

■ Besimi i tillë i përket më shumë fantazisë sesa realitetit. Mirëpo edhe filmat e hershëm fantastikë amerikanë, me superheroin e vetmuar që e shpëtonte si individë botën,  i kanë lënë vendin filmave ku superheronjtë po detyrohen të bashkohen në skuadër për fitoren kundër së ligës në botë. Porosia: jo estetikës së vjetëruar politike me individ që na shpëtojnë, pa skuadër!

■ Për sjelljen e kandidatëve të vet edhe mbasi dhe sidomos mbasi të zgjidhen, garanti është LVV (ashtu si partitë e tjera për kandidatët e tyre). Është më legjitim pohimi se besimi i duhet dhënë garantit. Sepse LVV-në nuk e kanë ndryshuar individët që kanë qenë në krye të saj, dhe aq më pak mund ta bëjnë “parashutistët”, siç po quhen disa në një zhargon të brendshëm.  E shumëta, këta, si ata, mund të vetëlargohen nga LVV. Dhe pastaj LVV fiton masivisht, si asnjë parti tjetër më parë.

Shpërndaje në: