IKShP: Mbani maskat, distancë dy metra – gjendja po përkeqësohet, Omicroni shumë ngjitës

IKShP: Mbani maskat, distancë dy metra – gjendja po përkeqësohet, Omicroni shumë ngjitës

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka paralajmëruar se situata epidemiologjike në vend mund të përkeqësohet, duke thënë se nga fillimi i vitit ka filluar rritje e rasteve pozitive, veçanërisht pas shfaqjes së variantit Omicron.

“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë”.

Instituti thotë se është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19.

“Omicron është tejet ngjitës, andaj mbani maskat në çdo vend, mbani distancën mbi dy metra edhe në mjedise të hapura edhe po qe se të gjithë bartin maska. Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithëpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës nga mosha 12 vjeçare”.

Në apelin për vaksinim, IKSHPK bën me dije se vaksinat mund të merren çdo ditë në të gjitha institucionet e kujdesit parësor në komunat përkatëse.

“Gjithashtu apelojmë për vaksinimin me dozën përforcuese dhe dozën e tretë që mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare. Vaksinohuni dhe ftoni të tjerët të vaksinohen! Duke u vaksinuar vetë, ju mbroni veten, mbroni edhe njerëzit për rreth jush, në rend të parë familjen. Vaksinimi mbetet arma më e fortë për të parandaluar hospitalizimin. Të gjithë pa dallim dhe domosdoshmërish duhet të vazhdojmë të zbatojmë masat parandaluese kundër COVID-19 dhe rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë”.

Shpërndaje në: