Incident i armatosur në kufirin Kosovë – Mali i Zi
Është shënuar incidenti i parë në kufirin me Malin e Zi.Sipas gazetës “Novosti”, shqiptarë të Kosovës kanë shkrepur rafalë automatiku në drejtim të fshatrave përreth Mokrës. Për momentin situata është e qetë. Derisa në Prishtinë është duke u bërë gati votimi për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe fillimi i protestës nga Vetëvendosja!, që kundërshton demarkacionin, në kufirin Kosovë – Mali i Zi ka ndodhur incidenti i parë i armatosur. Sipas gazetës “Novosti”, shqiptarët me rafalë të njëpasnjëshëm kanë frikësuar fshatarët në katundet në pjesën malaziase, në pjesën e malit Mokra.
“Novosti” shkruan se në kufirin mes Malit të Zi dhe Kosovës, pas paralajmërimit të AKSh-së, pjesëtarët e saj janë vendosur në afërsi të kufirit, në rastin kur do të nisë zbatimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e zi dhe se pjesëtarët e kësaj organizate do ta kundërshtojnë me armë.
Incidenti, sipas kësaj gazete, ndodhi mbrëmë, e mërkurë, në fshatin Kaludare, në rrethin e Beranes, ku është edhe pjesa e kufirit me Kosovën. Lidhur me këtë rast janë deklaruar edhe malaziasit. Situata është normalizuar. Bëhet e ditur se pjesëtarë të shërbimit të sigurimit malazias janë në gjendje gatishmërie, ndërkaq jozyrtarisht bëhet e ditur se edhe pjesëtarë të ushtrisë malaziase janë në gjendje gatishmërie.
Mediet e këtij vendi raportuan për dërgimin e njësive speciale policore dhe ushtarake në kufirin me Kosovën për shkak të tensionit në rritje para votimit të demarkacionit në Kuvendin e Kosovës.



