Incidenti me Lushtakët, IPK: Policët nuk u përfshinë në vepër penale, ata u sulmuan

Incidenti me Lushtakët, IPK: Policët nuk u përfshinë në vepër penale, ata u sulmuan

Më 2 korrik në Skenderaj, dy familjarë të ish-deputetit të Kuvendit, Nuredin Lushtaku dyshohet se i kanë sulmuar dy zyrtarë policorë, për shkak të një gjobe. Lidhur me këtë ka folur edhe kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, Kushtrim Hodaj.

Ai në një intervistë për KosovaPress, tha se deri në këtë fazë të hetimeve thuhet se policia ka qenë e sulmuar dhe kanë qenë të detyruar të përdorin forcën.

“Vlerësimi fillestar i prokurorit kujdestar dhe hetuesve ka qenë që në këtë fazë nuk ka dyshime për zyrtarë policor të përfshirë në vepra penale. Dhe në këtë moment që po flasim nuk ka dyshime për zyrtarë policor, atëherë është në kompetencë të Policisë të Kosovës dhe Prokurorisë që të zhvillojë më tutje hetimet. Ne jemi duke përcjellë si rast, në momentin që ka informacione dhe dalin prova që implikojnë zyrtarët policor në shkelje apo në tejkalim të forcës apo përdorim të armëve jashtë rregullave që parasheh Policia e Kosovës, sigurisht që do të kyçemi dhe do të ndërmarrim veprimet e nevojshme hetimore”, thekson Hodaj.

Megjithatë, kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, shton se tejkalimi i përdorimit të forcës është prej veprave tipike në polici.

“Tejkalimi i përdorimit të forcës apo keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo shkaktimi i lëndimeve ndaj qytetarëve është një prej veprave tipike që ndodhë zakonisht në polici, për shkak se policia është organ i autorizuar të përdor forcën dhe kur kjo tejkalohet atëherë përbën shkelje dhe vepra penale. Sigurisht që shpesh herë është një vijë e hollë që i ndanë përdorimin e forcës bazuar në rregullat që ka policia. Në këtë rast, është raportuar si rast i përdorimit të forcës dhe është duke u hetuar edhe nga komisionet e brendshme të policisë, por edhe ne jemi duke e përcjellë në bashkëpunim me prokurorin përgjegjës që në momentin që identifikohen veprimet të policisë që janë në kundërshtim me rregullat dhe ligjin, sigurisht që do të merren veprime edhe ndaj zyrtarëve të policisë”, shprehet ai.

Shpërndaje në: