India ia bllokon financimin e huaj fondit të themeluar nga Nënë Tereza

India ia bllokon financimin e huaj fondit të themeluar nga Nënë Tereza

Qeveria e Indisë ka refuzuar t’ia vazhdojë lejen për financim të huaj një organizate bamirëse të themeluar nga Nënë Tereza.

Organizata “Missionaries of Charity” ka mijëra murgesha që i mbikëqyrin projektet si shtëpitë për fëmijët e braktisur, shkolla, klinika e bujtina, shkruan BBC.

Ditën e Kërshëndellave, Ministria e Brendshme e Indisë njoftoi se nuk e ka vazhduar afatin e regjistrimit për shkak të “hyrjeve të pafavorshme”.

Ekstremistët hindusë për një kohë të gjatë e kanë akuzuar këtë organizatë se po i përdor programet e veta për t’i konvertuar njerëzit në Krishterizëm. Organizata i ka mohuar këto pretendime.

Kryeministrja rajonale e Bengalit Perëndimor, Mamata Banerjee, u përball me kritika, pasi shkroi në Twitter se qeveria ia ka ngrirë llogaritë bankare organizatës bamirëse. Megjithatë, qeveria ka mohuar se këto llogari janë ngrirë.

Organizata ishte themeluar në vitin 1950 nga Nënë Tereza. Ajo është një ndër organizatat më të njohura bamirëse katolike. Nënë Tereza ishte shpërblyer më Çmimin Nobel për Paqe më 1979 për punën e saj humanitare.

Në vitin 2016, Papa Françesku e shpalli Nënë Terezën shenjtore, 19 vjet pas vdekjes së saj.

Shpërndaje në: