Indonezia arreston rreth 200 persona për zjarret në pyje

Indonezia arreston rreth 200 persona për zjarret në pyje

Rreth 200 persona janë arrestuar në Indonezi për shkak të zjarreve masive në Indonezi, ku mijëra hektarë të tokës me ekologji të pasur janë djegur. Këto zjarre kanë shkaktuar tym të madh helmues për shumë banorë të këtij shteti.

Zëdhënësi i Policisë Kombëtare, Dedi Prasetyo, tha se autoritetet i kanë arrestuar 185 njerëz në gjashtë provincat e goditura nga zjarret dhe katër korporata janë nën hetime. Ai shtoi se 99 për qind e zjarreve kanë nisur për shkak të faktorit njeri.

Zjarret dhe tymi i madh janë problem i vazhdueshëm gjatë muajve të verës në Indonezi, ku shumë njerëz përdorin teknika të djegies së tokës për t’i zgjeruar sipërfaqet bujqësore. I njëjti veprim i ka shkaktuar zjarret masive në Amazonë të Brazilit më herët gjatë këtij viti.

Vetëm këtë vit, në Indonezi janë djegur më shumë se 328 mijë hektarë të tokës, qindra banorë janë zhvendosur dhe më shumë se 9 mijë ushtarë janë dërguar në zonat e prekura për të luftuar me zjarret. Këto statistika i ka dhënë Bordi Kombëtar për Menaxhimin e Emergjencave.

Zjarret kanë pasur efekte negative në jetën e njerëzve të këtij rajoni. Singapori dhe Malajzia janë përfshirë nga tymi i dendur, ndërsa cilësia e ajrit ka rënë në nivel të rrezikshëm.

Më shumë se 600 shkolla janë mbyllur në Malajzi për shkak të ndotjes së ajrit, duke i lënë pa mësim mijëra nxënës, shkruan “CNN”, transmeton Express.

Shpërndaje në: