Infektologu Tolaj: MSH dhe IKSHPK kanë dështuar në vaksinimin masiv të popullatës

Infektologu Tolaj: MSH dhe IKSHPK kanë dështuar në vaksinimin masiv të popullatës

Një rekord i zi si asnjëherë më parë është shënuar të dielën në Kosovë sa i përket numrit të vdekjeve nga koronavirusi.

Sipas raportimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar janë regjistruar 36 raste të vdekjeve si pasojë e infektimit me COVID-19 dhe 1 mijë e 630 raste të tjera pozitive.

E për situatën pandemike me të cilët po përballet vendi ynë për Klankosova.tv ka folur infektologu Ilir Tolaj.

Tolaj tha se marrja e masave anti-COVID nga ana e qeverisë është e vonuar.

Sipas tij, sikur masat të ishin marrë me kohë tani nuk do ta kishim numrin rekord të rasteve dhe numri i vdekjeve do të ishte më i vogël.

“Ndalimi i grumbullimit të njerëzve në numër të madh në ambiente të mbyllura, gjysmë të hapura ose të hapura janë masat që duhet ndërrmarrë në këtë situatë. Ndalimi i punës së klubeve të natës, ndalimi i dasmave dhe manifestimeve tjera të këtij lloji është masë adekuate edhe pse është marrë shumë vonë. Më shumë se një javë para se të merreshin këto masa, unë në paraqitjet e mia publike pata apeluar tek autoritetet shëndetësore të vendit që ta bëjmë urgjent një të tillë. Madje rekomandimi im që vlen ende është që ë kufizohet edhe më shjumë puna e kafiterive, sepse është evidente se në këto vende fare nuk respektohen masat anti-COVID. Një veprim me kohë dhe i plotë para më shumë se 10 ditësh, kur i kam bërë këto rekomandime do të na kishte kursyer nga numri rekord i rasteve të reja me COVID-19 dhe padyshim numri i vdekjeve do të ishte më i vogël”.

Infektologu Tolaj theksoi se masat duhet të jenë të atilla që ndalojnë përhapjen e pakontrolluar të infeksionit dhe duhet të ketë mbikqyrje të masave.

Tolaj thotë se bartja e maskave në ambientet e hapura nuk është masë adekuate.

“Derisa masat adekuate u vonuan tash kemi një reagim në panik, të paarsyeshëm të autoriteteve shëndetësore e qeveritare. Nga ekstremi i mosmarrjes së masave dhe mungesës së mbikqyrjes totale, madje në atë kohë ju zgjat orari i punës klubeve të natës dhe kafiterive, tash kemi mbyllje totale. Asnjë vend në Evropë nuk është duke e konsideruar me mbylljen dhe orën policore si masa adekuate për ta luftuar pandeminë. Masat duhet të jenë të atilla që e ndalojnë përhapjen e pakontrolluar të infeksionit dhe këto masa konsistojnë në përjashtimin nga jeta publike e të gjitha mundësive për t’u grumbulluar shumë njerëz në një vend. Asnjë vend nuk duhet ndaluar. Nuk ka nevojë as për bartje të maskave në ambient të hapur. Studimet kanë treguar madje se maskat që ne i përdorim, në mënyrën si i përdorim nuk mbrojnë as 10% nga infeksioni. Masat duhet të jenë të thjeshta dhe mbi të gjitha duhet të mbikqyren se a po përfillen. Masat e tipit të prezantimit të dëshmisë së vaksinimit para se të hysh në kafiteri, ose ndonjë manifestim tjetër që i pat proklamuar MSH më herët janë qesharake. Këto masa e kanë vështirë t’i mbikqyrin edhe vendet me sisteme dhe kapacitete të pakufizuara mbikqyrëse. Në Kosovë kjo është e parealizuar”.

Infektologu Ilir Tolaj, konsideron se mbyllja totale nuk është zgjidhje.

Madje sipas tij mbyllja totale ka efekte jashtëzakonisht negative në të të gjitha sferat e jetës.

“Jo, nuk e konsideroj se është masë adekuate. E thashë edhe më herët, është masë e tejkaluar, reflektim i panikut e mosdijes. Është diçka që tashmë është vërtetuar se është e paefektshme në aspektin afatmesëm e afatgjatë dhe e panevojshme. Madje me efekte jashtëzakonisht negative në të gjitha sferat e jetës. Është dashur që gjërat të parashikohen ndërsa veprimet parandaluese të jenë të hershme dhe adekuate. Ata që këtë e kanë pasur për detyrë dhe nuk e kanë bërë duhet të përgjigjen”.

Ai tha se kjo situatë po ashtu është krijuar edhe nga niveli jo i duhur i vaksinimit të popullsisë.

Për këtë ai i fajëson të gjitha qeveritë që nuk arritën t’i siguronin vaksinat me kohë dhe ishin jo serioze në sigurimin e vaksinave.

Tolaj shtoi se nuk ka mënyrë tjetër për ta ndalur pandeminë pos imunitetit kolektiv të popullatës.

“Padyshim.Po, për këtë e kanë fajin të gjitha qeveritë. Ato para kësaj sepse nuk siguruan vaksinat me kohë, kjo e tashmja gjithashtu se ishte joserioze në sigurimin e vaksinave dhe tash kur ka vaksina po del se nuk ka numër të mjaftueshëm për t’u bërë vaksinimi masiv. Nuk ka mënyrë tjetër për ta ndalur pandeminë pos imunitetit kolektiv të popullatës, një imuniteti kolektiv hibrid, i përbërë një pjesë nga imuniteti i atyre që e kanë kaluar në mënyrë të natyrshme infeksionin dhe pjesa tjetër nga ata që janë vaksinuar. Është evidente se autoritetet shëndetësore të Kosovës, IKSHPK dhe MSH kanë dështuar në këtë detyrë”.

“Promovimi i vaksinimit si masë e vetme për mbrojtje nga infeksioni që është detyrë e këtyre institucioneve që përmenda, ka dështuar. Kjo për shkak të mospunës së tyre dhe mungesës së kredibilitetit i cili do të duhej të ishte garancë për qytetarët se vaksinimi është i sigurtë dhe i domosdoshëm. Edhe tash kur po i them këto nuk po shihet ndonjë kthesë këtë drejtim. IKSHPK dhe MSH janë heshtur plotësisht. Kjo i heshtje e pasuar nga veprime kaotike është pasqyrim i injorancës së tyre”.

Infektologu Tolaj paralajmëron se në vazhdim ka mundësi që të përhapet edhe ndonjë varianti i ri i virusit.

“Përderisa do të ketë qarkullim të lirë ë virusit në mesin e popullatës atëherë do të ketë mundësi edhe për shfaqjen e ndonjë varianti i cili do të bëhet dominant në pjesë të caktuara ose në pjesën më të madhe të botës. Virusi do të mund të qarkullojë edhe në mesin e asaj popullate e cila nuk ka imunitet kundër virusit. Domethënë në mesin e atyre që nuk e kanë kaluar infeksionin në mënyrë të natyrshme ose nuk janë vaksinuar. Edhe për këtë arsye vaksinimi është mëse i domosdoshme dhe atë në shkallë globale. Vetëm në këtë mënyrë mundemi t’i parandalojmë valët e reja të pandemisë dhe shfaqjen e varianteve të reja të virusit”.

Shpërndaje në: