Injorancë e skajshme: Deputeti Abrashi s’e njeh shkrimtarin që u largua nga Lëvizja Vetëvendosje

Injorancë e skajshme: Deputeti Abrashi s’e njeh shkrimtarin që u largua nga Lëvizja Vetëvendosje

Deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, u pyet për largimin e shkrimtarit Adem Gashi nga kjo parti.

Por Abrashi pohoi se nuk i kujtohet se kush është Gashi i cili sot njoftoi se po largohej nga kjo parti pas katër vjetësh.

“Unë për besë tash po e dëgjoj për herë të parë këtë. Nuk e kam dëgjuar, prandaj nuk e di se si ta komentoj. Adem Gashi?”, ka thënë Abrashi për Klan Kosova.

“Për momentin jo. Nuk po më kujtohet. Shiko, Lëvizja Vetëvendosje tash është subjekti më i madh politik në vend. Nëse nuk gaboj, i kemi diku mbi 51 mijë anëtarë, dhe besoni që kësi rasti është thuajse teknikisht e pamundur që edhe t’i njoh të gjithë porse edhe ta konfirmoj vërtetësinë apo pavërtetësinë e një lajmi të tillë”.

Megjithatë, në fund Abrashi tha se të gjithë anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje janë të rëndësishëm pavarësisht se a i njeh ai apo jo.

Gashi i cili u intervistua pak minuta më vonë nga Klan Kosova, u përgjigj me shumë sportivitet, kur iu kumtua se Abrashi s’e kishte njohur.

“Unë e njoh Abrashin, e kam përcjellë dhe i di qëndrimet e tij publike, nuk më lëndon aspak qëndrimi i tij”.

..

Kush është Adem Gashi:

Lindur më 18. X. 1953 në Nekoc të Gllogocit

Shkollimin fillor në Nekoc dhe Komoran

Shkollën Normale në Prishtinë

Studimet për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku ka ndjekur edhe studimet pasuniversitare, por është detyruar t’i ndërpresë për shkak të burgosjes, më 1982.

Më 1973 zë punë si arsimtar në shkollën e fshatit, në Nekoc.

Më 1977 punësohet në Radiotelevizionin e Prishtinës.

Më 1996, bashkë me Enver Malokun, punon në redaksinë e revistës ORA, ku publikon një seri të eseistikës politike dhe të vështrimeve letrare.

Po më 1996 emërohet drejtor i Televizionit në Tiranë, për Programin satelitor, deri më 1999.

Më 1999 emërohet drejtor i Radiotelevizionit të Kosovës, duke e hapur atë për herë të parë në Kosovën e lirë.

Më 1999 zgjidhet nënkryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, deri më 2001, kur zgjidhet kryetar, tashti i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, deri më 2005.

Më 2001 fiton bursën katër mujore të fondacionit gjerman “Heinrich Böll-Stiftung” me qëndrim në shtëpinë e nobelistit Bëll, në Langenbroich (Gjermani).

Më 2002 emërohet Këshilltar i lartë politik i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Më 2006 emërohet Drejtor i Zyrës për Komunikim në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ku është edhe tani.

Publikim të parë e ka poezinë “Pranvera”, botuar në “Pionieri” (1966)

Botime të tjera:

POEZI:
PA OMBRELLË, 1982
DUKE PUNUAR AUTOPORTRETIN, 1985
REALITETI OBJEKTIV*, 1990
ËNDRRA TË LIGA, 1995
DORËSHKRIM I DJEGUR, 2000
LULET E VETMUARA*, 2001/2002
LADY MAK(TH)BETH*, 2006

KTHIMI I PAMUNDUR, LADY**  2013

LABIRINTET E MAKTHIT (Lady 3), 2015

S’I DUHET KUJT GJAKU IM, 2016

SHI DHE ZOG I VETMUAR, 2016

DITËT PA GJË*, 2017

VIZATIMI I VETMISË NË LETRËN E BARDHË, 2017

TREGIME:
VDEKJA E MIXHËS, 1987
PËLLUMBI I PAQES, 1989
UDHËTIMI I FUNDIT*, 2002

ROMANE:
A…ZH – VETËTIMAT E NËNTORIT, 2005

DITA TJETËR E JETËS,  2014

ESEISTIKË, VËSHTRIME E STUDIME:
NOSTALGJIA E LETRËS, 2003
PORTALI I FSHEHTË I JETËS
(Shënime nga shtëpia e Heinrich Bëll-it) 2007

* Veprat e shënuara (*) janë shpërblyer me çmime në shkallë nacionale si librat më të mirë të vitit, me çmimin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, të Ministrisë së Kulturës të Kosovës, të Panairit Mbarëkombëtar të Librit, Fieri 2014. “Kthimi i pamundur, Lady” është nderuar me dy çmime. Libri i fundit “Ditët pa gjë” (2017) u nderua me Çmimin e Panairit të Librit, Prishtina 2017 duke u shpallur libri më i mirë i vitit në fushën e poezisë.

Nga viti 1980 e deri më 1990 është laureat i rreth pesëdhjetë çmimeve të konkurseve letrare të gazetave dhe revistave: Rilindja, Jeta e Re, Zëri dhe Bota e Re.

Ka redaktuar mbi 100 tituj të autorëve shqiptarë: poezi, romane, studime dhe eseistikë e monografi. Është tekstshkrues këngësh, nga të cilat janë bërë këngë mbi 130 sosh.

Ka përgatitur dhe publikuar dy vëllime poetike të poetit të vrarë Fazli Greiçevci, një vëllim poetik të poetit të ndjerë, Tahir Desku dhe një përzgjedhje poetike me motive arvanitase, “Pikoi molla gjak” (2004).

Është prezantuar në dhjeta antologji të lirikës shqipe.

Në gjuhë të huaja është prezantuar me cikle dhe panorama poetike në rumanisht, serbokroatisht,  gjermanisht dhe anglisht (Revista “Dalje” – Sarajevë,  1982; revista “Borec”, 8-9, Lubjanë 1990; “Am Erker”, Zeitschrift fur Literatur, Nr. 57, 2008;  “Albanische HEFTE” 1/2014; “THE ANGRY CLOUD”, (An Anthology of Albaian stories from Yugoslavia), përkthyes nga shqipja John Hodgson. Editor: Mensur Raifi, Rilindja, Prishtinë 1991.

Për krijimtarinë e tij kanë shkruar:

Dr Mensur Raifi, Xhemail Mustafa, Ibrahim Rugova, Ramadan Musliu, Dr. Emin Kabashi, Dr. Rifat Ismaili, Dr. Milazim Krasniqi, Dr. Ag Apolloni, Dr. Gëzim Ali, Adil Olluri, Vaid Hyzoti e shumë të tjerë.

 

 

Shpërndaje në: