Injorimi i Kosovës nga SHBA’ja, kritika të shumta për Osmanin e Kurtin

Injorimi i  Kosovës nga SHBA’ja, kritika të shumta për Osmanin e Kurtin

Prestigjiozja amerikane “Politico”, ka publikuar dje listën e shteteve të ftuara nga Shtëpia e Bardhë, për Samitin e Demokracive që do të mbahet në dhjetor të këtij viti. Në këtë listë, figurojnë 100 shtete, por jo edhe Kosova, Serbia dhe Bosnja. Mosftesa e Kosovës në këtë samit, ka ngjallur reagime të shumta.

I pari që ka reaguar për këtë çështje ka qenë analisti i çështjeve politike dhe aktivisti i shoqërisë civile, Agon Maliqi.

Maliqi ka thënë se ky është sinjal i keq për nivelin e marrëdhënieve dhe kjo duhet të lexohet si kambanë alarmi.

“Mirëmëngjes popull liridashës. Kjo është sipas një raporti të Politico harta e shteteve në Evropë të cilave SHBA u ka dërguar ftesë për pjesëmarrje në Samitin e Demokracive në dhjetor. Mospërfshirja e Kosovës është sinjal shumë i keq për nivelin e marrëdhënive dhe duhet të lexohet si këmbanë alarmi”, ka shkruar Maliqi.

Mosftesa e Kosovës në këtë samit ka ngjallur edhe reagimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Sipas Haradinajt, kryeministri Albin Kurti “me urgjencë duhet t’i riparojë raportet dhe partneritetin e besueshëm e të shëndoshë me ShBA’të si aleati ynë strategjik”.

Kryetari i AAK’së thotë se marrëdhëniet në mes të Ksovës dhe SHBA’së u degraduan në qeverisjen e Albin Kurtit. Në këtë mënyrë, sipas tij, Kurti duhet “sa më parë të lirohet nga politikat dhe veprimet për llogari të interesave të ngushta”.

“Kosova nuk ka kohë për të humbur, as nuk ka partner më të afërt sesa ShBA-të, andaj Kryeministri me urgjencë duhet t’i riparojë raportet dhe partneritetin e besueshëm e të shëndoshë me ShBA-të si aleati ynë strategjik”, thotë Haradinaj.

Haradinaj ka theksuar se nuk duhet lejuar “zbehja” e prezencës së SHBA’së në Kosovë”.

“Asnjëherë nuk do ta lejojmë shndërrimin e Kosovës në laborator të eksperimenteve neo-komuniste evropiane që kryeqendër e kanë Moskën dhe qëllim parësor e kanë zbehjen e prezencës dhe rolit të ShBA-ve në Kosovë, rajon e më gjerë”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.

Edhe ish-lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka folur pasi Kosova nuk u ftua në Samitin e Demokracisë të presidentit të SHBA-së, Joe Biden, duke thënë se presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, jo që s’u ftuan në Uashington, por nuk iu dha mundësia të shihen as në ekranet e llaptopëve.

Mustafa në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se Kosova nuk e meriton të drejtohet nga ata që diskomunikohen nga SHBA-të.

Ai tha se lënia e Kosovës jashtë orbitës së SHBA-së në Samitin e Demokracisë është e rëndë, e sidomos, kur vendi ynë futet në një ‘shportë të izolimit së bashku me Bosnjë e Hercegovinën dhe Serbinë’.

“Jo që s’janë ftuar në Washington znj. Osmani dhe z. Kurti por as në një takim virtual nuk iu është dhënë mundësia të shihen në rrethin e 100 shteteve të ftuara nga Presidenti Bajden, pra as në ekrane të llaptopëve. Kosova nuk duhet të jetë indiferente ndaj kësaj situate, aq më pak liderët aktualë”, tha Mustafa.

Mustafa madje kërkoi që Osmani e Kurti t’u tregojnë qytetarëve se pse Kosova është lënë jashtë këtij Samiti.

“Kosova nuk e meriton të drejtohet nga ata që diskomunikohen nga SHBA-të, të cilat mbi 30 vjet qëndrojnë të jenë aleati kryesor i pavarësisë së vendit tonë e mbi 100 vjet aleat i shqiptarëve. Ata duhet tu tregojnë qytetarëve të Kosovës pse janë janë lënë jashtë, pse s’po pranohen nga administrata amerikane, sepse këtu nuk flitet për diskomunikim të liderëve por të Kosovës si shtet”.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, Edita Tahiri, beson se pasi vendi ynë nuk u ftua në Samitin e Demokracisë të presidentit të SHBA-së, Joe Biden, tash kryeministri Albin Kurti do t’i dallojë më mirë ngjyrat e Shtëpisë së Bardhë.

Këtë deklaratë, Tahiri e bëri përmes një postimi në Facebook.

“Shtepia e Bardhe nuk e ftoi Kosoven ne Samitin e Demokracise te organizuar nga Presidenti Amerikan Joe Biden. Mbas tash besoj se Kurti do t’i dalloj me mire ngjyrat!”.

Edhe analisti kosovar dhe njohësi i zhvillimeve që ndërlidhen me diplomaci dhe politikë të jashtme, Ilir Ibrahimi, ka reaguar pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë ftuar Kosovën në Samitin e Demokracisë 2021.

Ibrahimi thotë se deri tani janë dëgjuar mospajtime te vogla, por thotë se mosftesa tashmë është një ‘bërtimë’.

“Deri tani kemi dëgjuar apo parë mospajtime më zë të ulët nga administrata Biden ndaj qasjes së Qeverisë Kosovës. Lënia anash e Kosovës, si një nga 4-5 vendet Evropiane që nuk ftohen në Samitin e Demokracisë 2021, – ËSHTË BËRTIMË”, ka shkruar Ibrahimi.

Ai tutje thotë se presidentja Osmani ka qenë për vizitë në SHBA dy herë dhe s’ka takuar asnjë zyrtar të administratës. Gjithashtu përmend edhe deklarimin e Kurtit se do të vizitojë SHBA’në në nëntor, megjithatë specifikon disa burime që thonë se e ka anuluar meqë s’ka arritur të sigurojë ndonjë takim me administratën Biden.

“Presidentja, brenda pak javësh ishte 2 herë në SHBA dhe nuk e takoi asnjë zyrtar të administratës. Kryeministri i cili kishte deklaruar se do të vizitojë SHBA në nëntor, e anuloi vizitën për shkak sipas disa burimeve, nuk arriti të sigurojë ndonjë takim me administratën.

Qeveria e Kosovës urgjentisht duhet të ndërrojë kurs dhe ti kthehet ndërtimit tanimë të lënduar të mardhënieve me aleatin kryesor. Askush nuk mund të ja jap vetes luksin që për bindje idelogjike, të vëj në pikëpytje interesa strategjike të vendit”, ka shkruar Ibrahimi.

Pas gjithë këtyre reagimeve, Ambasada Amerikane në Prishtinë ka dal me një sqarim.

Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Prishtinë në një sqarim të dërguar në adresën e Gazetës Express ka deklaruar se Samiti për Demokraci i Presidentit Joe Biden është nismë që megjithatë s’mund t’i akomodojë të gjithë partnerët pasi qëllimi ka qenë që të përfshihen demokracitë me llojllojshmëri të madhësisë së popullsisë. Kosova nuk është ftuar që të marrë pjesë në këtë samit që do të mbahet virtualisht më 9 dhe 10 dhjetor.

“Samiti i Presidentit për Demokraci është njëra nga shumë nismat e ShBA-së, të përqendruara në avancimin e demokracisë, luftimin e korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut përreth globit. Jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë nismë. Qëllimi ka qenë që të bëhet bashkë një grup rajonal e socio-ekonomik i vendeve e juridiksioneve, që i përfshin demokracitë me themele të mira si dhe demokracitë në shfaqje e sipër me llojllojshmëri të madhësisë së popullsisë, demografi e vendndodhje”, ka thënë zëdhënësi i ambasadës.

Tutje, ky zëdhënës ka thënë se Presidenti Biden në adresimin e tij për Kosovën ka deklaruar se Kosova ka bërë progres të jashtëzakonshëm gjatë dy dekadave.

“Siç theksoi Presidenti Biden në adresimin e tij me video në gusht, Kosova ka bërë “progres të jashtëzakonshëm gjatë 20 vjetëve” duke ndërtuar një demokraci të rigjenerueshme e multietnike”, ka thënë ai.

Poashtu në deklaratën e zëdhënësit të ambasadës amerikane thuhet se SHBA si partnere të palëkundura të Kosovës mbeten të përkushtuara për të punuar me Kosovën.

“Si partnere të palëkundura të Kosovës, Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të punuar me Kosovën në forume të tjera për avancimin dhe fuqizimin e demokracisë, parandalimin e regresit demokratik, promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe luftimin e korrupsionit në mënyrë që së bashku të mund të dëshmojmë se demokracitë i plotësojnë nevojat e popujve të tyre”, ka thënë ai.

Ndryshe, Presidenti amerikan, Joe Biden, do të organizojë një “Samit për Demokracinë” më 9 dhe 10 dhjetor, në të cilin do të ftohen të marrin pjesë krerë të shteteve, përfaqësues të shoqërisë civile, ata të sektorit privat dhe filantropistë, njoftoi të mërkurën Shtëpia e Bardhë.

Samiti planifikohet të mbahet online.

“Samiti do të nxisë angazhimet dhe nismat në tri tema kryesore: promovimin e të drejtave të njeriut, mbrojtjen kundër autoritarizmit dhe luftimin e korrupsionit”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti Biden planifikon që një vit pas këtij samiti të organizojë edhe një takim me prani fizike, në mënyrë që të diskutohen angazhimet që janë ndërmarrë.

Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë nuk jepen detaje për listën e vendeve të ftuara në samit, i cili po shihet si një alternativë e G20-ës dhe një sfidë ndaj Kinës.

Grupi G20, përbëhen nga vendet më të fuqishme ekonomike në botë, përfshirë regjimet autoritare si Kina dhe Arabia Saudite.

Përfaqësuesit e G20-ës do të takohen në Itali në fund të muajit tetor.

Biden ka thënë se “sfida e kohës sonë është të dëshmohet se demokracitë mund të merren me përmirësimin e jetës së njerëzve duke adresuar problemet më të mëdha me të cilat përballet bota.

Shtëpia e Bardhë tha se samiti është “një mundësi që udhëheqësit botërorë të flasin për sfidat me të cilat përballet demokracia, të dëgjojnë njëri -tjetrin dhe qytetarët e tyre si dhe të nxitet bashkëpunimi ndërkombëtar”./

Shpërndaje në: