Insajderi zuri blerjen e votave: Kandidati i përkrahur nga Kurti u bë deputet për vetëm 875 vota

Periskopi.com Lajme

Gazeta Insajderi dje ka pretenduar gjetjen e dëshmive në formë të video-ve dhe audio-ve për blerjen e votave nga një anëtar i Iniciativës së Re Demokratike [IRDK] të drejtuar nga Elbert Krasniqi. Kjo është në vazhdën e skandaleve të mëdha që kanë dëmtuar reputacionin e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Kjo gazetë shton se një votë është blerë për 40 euro për përfaqësuesin e komunitetit egjiptian në Kosovë. Elbert Krasniqi – që gëzoi edhe mbështetjen e Albin Kurtit gjatë fushatës elektorale – e ka siguruar ulësen e deputetit të Kuvendit të Kosovës, duke e lënë jashtë Veton Berishën e Partisë Liberale Egjiptiane.

IRDK-ja e Krasniqit i kishte vetëm 875 vota më shumë se PLE-ja e Berishës, megjithëse i pari kishte mbështetje të fortë nga Albin Kurti dhe deputetë të tjerë të Vetëvendosjes.

E Berisha, që ishte deputet në legjislaturën e kaluar, u la jashtë edhe pas ndërhyrjes së Serbisë që ndihmoi Iniciativën Rome [RI] duke e votuar në komunat ku komuniteti serb është shumicë.

Insajderi gjen se një mbështetës i IRDK-së është zënë duke e kërkuar votën e 5 anëtarëve të një familjeje në këmbim të parave.

“Bone IRDK edhe nr 18. Unë i tham motres teme edhe zatetesh në Istog e ti jep valla”, i thotë Elvisi qytatarit me të cilin bënë  pazar për pesë vota.

Për ta çuar punën deri në fund, Elvisi kërkon që anëtarët e familjës së këtij qytetari ta dëshmojnë me foto votën për IRDK-në e Elbert Krasniqi dhe kandidaten Albiona Halimaj.”

Albiona Halimaj në këto zgjedhje i ka fituar 315 vota.

Kryetari i IRDK-së është distancuar nga një gjë e tillë duke kërkuar hetim nga organet kompetente.

Në zgjedhjet e vitit 2019, PLE-ja e Veton Berishës i kishte pasur 4887 vota, ose 0,58 për qind. IRDK-ja në anën tjetër i kishte pasur vetëm 1755 vota, ose 0,20 për qind.

Nuk dihet se deri në çfarë shkalle blerja e votave mund të ketë ndikuar rezultatin zgjedhor të komunitetit rom në këto zgjedhje.

Veton Berisha deri më tash nuk ka dhënë asnjë koment në lidhje me çështjen. /Periskopi

Shpërndaje në: