Inteligjenca britanike: Lufta në Ukrainë pritet të hyjë në fazë të re

Inteligjenca britanike: Lufta në Ukrainë pritet të hyjë në fazë të re

Lufta e Rusisë në Ukrainë pritet të hyjë në fazë të re, pasi luftimet mund të përqendrohen në territor prej 350 kilometrash që përshkon qytetin e Zaporizhjas dhe atë të Hersonit, ka thënë inteligjenca ushtarake e Britanisë së Madhe të shtunën.

Forcat ruse ka shumë mundësi që janë duke u mbledhur në jug të Ukrainës, në pritje të ndonjë kundër-sulmi, apo janë duke bërë përgatitje për sulm tjetër, ka thënë Ministria britanike e Mbrojtjes përmes një postimi në Twitter.

Konvoje të gjata të kamionëve dhe tankeve ushtarake ruse, me artileri dhe armë tjera, vazhdojnë të largohen nga rajoni Donbas i Ukrainës dhe po lëvizin drejt jugperëndimit.

Grupet taktike të batalionit, që përbëhen nga 800 në deri 1.000 trupa janë angazhuar në Krime dhe ka mundësi që ato të shfrytëzohen për t’iu ofruar mbështetje trupave ruse në rajonin e Hersonit, kanë thënë autoritetet britanike.

Sipas tyre, forcat e Ukrainës janë duke vënë fokusin në ura, depo municioni dhe linja hekurudhore që janë të rëndësishme për rajonet jugore, duke përfshirë linjat që lidhin Hersonin me Krimenë e pushtuar nga Rusia.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra./REL

Shpërndaje në: