Interesi personal: Hysen Durmishi urgjentisht nis punimet në rrugën kah livadhet e babës

Interesi personal: Hysen Durmishi urgjentisht nis punimet në rrugën kah livadhet e babës

Ditë më parë nisën punimet për rrugën që do të lidh Mushtishtin e Suharekës me Brezovicën. Me “interes të veçantë”, i cilësoi punimet në këtë rrugë Hysen Durmishi, zv/ministër i Infrastrukturës. Rastësisht, përskaj trasesë së rrugës ndodhen edhe 3 hektarë tokë që për pronar kanë babanë e zv/ministrit Durmishi. Periskopi, në bashkëpunimin me portalin Paparaci, ka shtjelluar historinë e pronësisë së kësaj toke, dhe pse pikërisht tani kjo rrugë u cilësua me “interes të veçantë” nga zv/ministri Durmishi.

Ishte viti 2011, dhe në Lëvizjen Vetëvendosje po mbretëronte harmoni e vërtetë. Asokohe, kjo harmoni gati familjare i kishte joshur disa prej figurave kryesore të kësaj partie që të investonin së bashku edhe në pasuri të patundshme.

Planifikonin të ndërtonin vila në një zonë malore për vete dhe për biznes.

Toka ishte gjetur, çmimi ishte i leverdishëm, dhe miqësia mes bashkëpronareve të ardhshëm dukej e përjetshme.

Mes Mushitishtit dhe Brezovicës, në zonën e Dollocit, në vitin 2011, u blenë 3 hektarë tokë.

Burime të Periskopi dhe Paparacit, kanë treguar se kjo sipërfaqe toke ishte blerë bashkërisht nga disa nga figurat më të njohura të Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, për t’ju ikur komplikimeve toka e blerë u bart në emër të një pronari të vetëm. Pronari i ri, i ra për hise të jetë, Ilaz Durmishi, babai i Hysen Durmishit.

Hysen Durmishi, tokën e blerë e kishte deklaruar edhe në Agjensionin Anti Korrupcion (AKK).

Durmishi e ka deklaruar këtë pronë me emrin “livadhet”, dhe i ka vënë vlerën e 40 mijë eurove. Çmimi i saj nuk ka ndërruar as në raportimin e tij më 2014 e as në raportimin e tij në vitin 2021.

Vendndodhja e kësaj parcele tre hektarësh, e posaçërisht pronësia e saj, dyshohet se është shkaku kryesor se pse Ministria Infrastrukturës e ka kaq ngut përfundimin e saj.

Vet zv/ministri i Infrastrukturës Hysen Durmishi, më 6 tetor të këtij viti, në shoqërimin e Salih Zybës, kandidat i VV-së për kryetar të Suharekës, mori pjesë në fillimin e punimeve për rrugën që lidh Mushtishtin me atraksionin më të madh turistik të Kosovës, Brezovicës.

“… Prandaj, po investojmë në ndërtimin e kësaj rruge me interes të veçantë. Shpejt do të zgjidhen disa probleme të vogla pronësore në mënyrë që të shtohet dinamika, që rruga të përfundojë vitin e ardhshëm [2022]”, shkoi zv/ministri Durmishi në një postim në Facebook.

Por, Durmishi nuk njoftoi opinionin publik se po investohej mu në rrugën që do ta kalonte nga toka që është në emër të babait të tij, Ilazit, dhe të cilën e kishte blerë bashkë me aktivistë nga Vetëvendosje.

Sidoqoftë, zv. ministri i Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i pyetur nga gazetari i Periskopit për interesin e veçantë që kjo rrugë të shtrohej tani, është përgjigjur shumë shkurt.

“A e di çka? Shkoni pyetne babën tem se [toka] në emër të tij është… Hajt tung!”

Burime të Periskopit dhe Paparacit tregojnë se të përfshirë në blerjen e këtyre tre hektarëve, përveç Hysen Durmishit, janë edhe funksionarë të lartë të Vetëvendosjes, Qeverisë së sotme dhe Kuvendit aktual, por edhe disa nga aktivistet e sotëm të PSD’së, që dikur ishin pjesë e VV’së.

Periskopi ka provuar të kontaktojë disa nga aktivistët dhe zyrtarët që kanë blerë pronën për ta ndarë në parcela, por asnjëri prej tyre nuk janë përgjigjur.

Mbetet e paqartë ujdia mes aktivistëve të Vetëvendosjes që kanë blerë tokën në Mushtisht, duke qenë se ajo është zyrtarisht në emër të Ilaz Durmishit, babait të Hysenit.

Ajo që dihet është se aktivizmi politik nuk ishte i vetmi aktivizëm që bënin aktivistët – pronarë të kësaj toke. Ata kishin bërë edhe aktinizëm ekonomik së bashku duke e kuptuar qysh para 10 vitesh “interesin e veçantë” të kësaj rruge.

Parcelat e blera mbajnë numrat 2075, 76, 77, 78, 2086, zona nën gurin e Dellocit, dhe nuk kanë distancë të largët nga traseja e rrugës së re.

Investimi në rrugën e re, për ta lidhur Mushitishtin me aktraksionin më të madh turistik të Kosovës, Brezovicën, padyshim se do ta shumëfishojë vlerën e tokave përskaj saj. Gjithsesi edhe të tokës së Ilaz Durmishit.

(Shih hartat)

Çdo investim infrastrukturor në vend është i dobishëm, por dyshimet për ngutinë në përfundimin e kësaj rruge shtohen kur të kihet parasysh se prej ardhjes në pushtet të Qeverisë Kurti shumë projekte infrastrukturore janë stopuar, ndër to edhe rruga shume strategjike që e lidh Deçanin me Plavën në Mal të Zi.

Pikërisht dje, Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, shefi i Durmishit, ka thënë se rruga e nisur në Deçan, në drejtim të Malit të Zi, “s’është rrugë, është rrugë Deçan-bjeshkë”.

Aliu ka aluduar se motivi për asfaltimin e kësaj rruge (Deçan – Plavë) mund të ketë qenë ndërtimi i vilave pa leje.

“Zyrtarisht nuk ka. Tjetër që ish-kryeministri thotë Deçan-Plavë. Zyrtarisht s’ka rrugë të tillë. Do të kenë mundësinë në bjeshkë të marojnë edhe vila pa leje përskaj rrugës së asfaltuar siç është e paraparë me projekt, ndoshta ky ka qenë edhe motivi kryesor”, ka shtuar Aliu.

Kur Qeveria Kurti mori vendim për ndërprerjen e punimeve në rrugën që lidh Deçanin me Plavën, zëvendësministri, Hysen Durmishi e arsyetoi duke thënë se kjo rrugë nuk është në interes të vendit, por çon në stane të atyre që e kanë nisur. Me këtë aludonte tek Ramush Haradinaj, kryeministër i asaj kohe. Tash, Durmishi rrugën Suharekë – Brezovicë që kalon skaj pronës së tij, si të interesit të veçantë.

Çfarë duhet të aludohet për rrugën Mushitisht Brezovicë që kalon kah livadhet e Ilaz Durmishit, babës së Hysenit dhe “hysenëve” të tjerë të Vetëvendosjes?/Periskopi & Paparaci

Shpërndaje në: