Intervistë ekskluzive: Delawie thotë se ShBA nuk ndryshon politikën ndaj Kosovës as me Trumpin
Gjatë intervistës ka thënë se vdekjet në mbajtje janë gjithmonë shqetësuese dhe se mirëpresin përfshirjen e vëzhguesve të pavarur në rastin e Astrit Deharit.
Thotë se takohen me secilin subjekt politik në Kosovë, por që nuk preferojnë dhunën dhe nuk takohen me individë që ushtrojnë atë apo promovojnë.
Delawie për Periskopi.com thotë se politika e ShBA-së lidhur me Kosovën nuk pret të ndryshoj pas zgjedhjet se Trumpit.
Ka folur edhe zgjedhjet e parakohshme në Kosovë që po diskutohen që disa kohë, e Delawie thotë se pavarësisht kur do mbahen, Qeveria nuk duhet ndalur së punuari.
Periskopi: Kemi hyrë në javën e tretë dhe mospajtimet për rastin e aktivistit të VV-së, Astrit Dehari, që vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren vazhdojnë ende. U kontestua edhe rezultati i autopsisë; u kërkua edhe një hetim ndërkombëtar nga Ambasada Britanike, por s’ka ende përgjigje. Si e shihni ju zoti Delawie zgjidhjen e kësaj situate?
Delawie: Ambasada ka mirëpritur përfshirjen e vëzhguesve të pavarur në hetim nga Ministria e Drejtësisë që nga fillimi. Vdekjet në mbajtje janë gjithmonë shqetësuese dhe ne jemi të inkurajuar nga fakti se Ministria e Drejtësisë është duke i adresuar çështjet që kanë dalë në pah nga ky rast në mënyrë që të parandalohen tragjeditë në të ardhmen.
Periskopi: A mban ambasada amerikane kontakte me Lëvizjen Vetëvendosje – dhe çfarë bashkëpunimi ka?
Delawie: Stafi nga Ambasada takohet me çdo parti politike në Kosovë për të diskutuar çështje të shumëllojshme lidhur me politikat dhe prioritetet. Sidoqoftë, ne nuk takohemi me individë që marrin pjesë në dhunë apo e promovojnë atë si mjet për të bërë deklaratë politike, apo me ata që janë paditur apo dënuar për korrupsion. Qëndrimi ynë lidhur me këto dy çështje ka qenë shumë i qartë.
Periskopi: Përfliten shume zgjedhjet e parakohshme si mënyrë e të dalurit nga papajtueshmëria e madhe politike për çështje të ndryshme në Kosovë? A mendoni ju zoti Delawie që duhet shkuar në zgjedhje?
Delawie: Diskutimet lidhur me zgjedhjet e parakohshme nuk duhet të shpërqendrojnë nga puna e rëndësishme që qeveria duhet të vazhdojë të bëjë lidhur me çështjet për të cilat brengosen njerëzit e Kosovës, siç janë miratimi i një buxheti të qëndrueshëm, punësimi i profesionistëve të kualifikuar për pozita kritike në qeveri, zhvillimi i hetimeve për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhe të siguruarit që të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë pakicat, kanë qasje në arsimim, kujdes shëndetësor dhe shërbime tjera sociale cilësore. Poashtu, kjo qeveri duhet të mbajë përqendrimin e saj në zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, tërheqjen e investimeve të sektorit privat dhe rritjen e punësimit, dhe përparimin drejt integrimit evropian, duke përfshirë edhe kualifikimin për liberalizimin e vizave.
Periskopi: Jemi në muajt e fundit të vitit; si e vlerësoni ju angazhimin e Qeverisë gjatë këtij viti? A mendoni se Kosova ka shënuar ndonjë progres, veçanërisht në ekonomi kur dihet se papunësia mbetet problemi më i madh i kosovarëve?
Delawie: Që nga pavarësia Kosova ka bërë përparim të dukshëm në vendosjen dhe zhvillimin e politikave dhe legjislacionit për tregun e lirë, dhe në përmirësimin e ambientit për afarizëm, siç edhe kemi parë në raportin e fundit të Bankës Botërore për Bërje të Biznesit. Qeveria e Kosovës poashtu ka zbatuar një pako të re fiskale për të nxitur zhvillimin ekonomik, për të tërhequr investime nga jashtë, dhe për të rritur të hyrat. Këto përpjekje duhet të vazhdojnë së bashku me përkushtimin e vazhdueshëm ndaj luftës kundër korrupsionit dhe ndaj adresimit të çështjeve tjera që e frenojnë rritjen ekonomike të Kosovës.
Periskopi: Një kërkesë e ambasadës amerikane dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë për luftimin e krimit dhe korrupsionit është përsëritur disa herë. Ndërkohë, raportet ndërkombëtare gjejnë se këto dukuri ende mbetën në nivel shqetësues; A mendoni se është bërë mjaftueshëm në luftimin e krimit e korrupsionit, veçanërisht në nivelet e larta institucionale?
Delawie: Kam qenë shumë i qartë në pikëpamjen time se korrupsioni është duke e mbajtur Kosovën prapa, dhe sigurisht se duhet bërë më shumë punë. Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit ka ulur së fundi notën për Kosovën lidhur me kriterin e saj për Kontrollin e Korrupsionit. Prapë se prapë, ka pasur përparim në disa fusha të rëndësishme. Disa deputetë dhe zyrtarë të tjerë që janë paditur për korrupsion kanë dhënë dorëheqje, prokurimi elektronik është duke ecur përpara në qeveri, dhe Qeveria e Kosovës është pajtuar që të punojë me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar për të siguruar që shërbyesit civilë të lartë punësohen në mënyrë transparente dhe duke u bazuar në merita. Ne e inkurajojmë qeverinë dhe shoqërinë civile që të vazhdojnë të shtyjnë përpara këtë çështje, dhe që t’i kapitalizojnë këto suksese. Poashtu, është shumë e rëndësishme që të mbahet përparimi në fushat ku Kosova ka pasur të arritura të vërteta siç janë reformat lidhur me menaxhimin dhe llogaridhënien në Agjencinë e Doganave.
Periskopi: Donald Trump së shpejti do të jetë edhe zyrtarisht president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës; shumë kosovarë druajnë nga një ndërrim qasjeje e mundshme e SHBA-së ndaj Kosovës, marrë parasysh raportet e mira që kanë kultivuar dy shtetet. A ekziston mundësia e ndryshimit të qasjes amerikane në raport me Kosovën?
Delawie: Politika e SHBA-ve lidhur me Kosovën ka qenë shumë konsistente gjatë tri qeverive të fundit, qoftë kur në Shtëpinë e Bardhë është një Demokrat apo një Republikan. Nuk shohim asnjë arsye që të presim që kjo të ndryshojë.