INTERVISTË/ Haziri: Frikë që vizat të lidhen me dialog e mos zbatim të vendimeve kushtetuese nga Qeveria

INTERVISTË/ Haziri: Frikë që vizat të lidhen me dialog e mos zbatim të vendimeve kushtetuese nga Qeveria

‘’Frika e madhe është që ky proces do të lidhet me progres në dialog apo me kërkesa për zbatim të disa vendimeve kushtetuese që ende kjo Qeveri po heziton t’i zbatojë’’. Kështu ka deklaruar nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri  për liberalizimin e vizave për Kosovën, gjë që ende nuk ndodhi.

Haziri në një intervistë për Periskopin ka komentuar edhe qëndrimin e Kurtit për marrëveshjen për energjinë, mbetjen e veteranëve jashtë pagës minimale dhe ngritjen e vazhdueshme të çmimeve dhe derivateve.

 Intervista e plotë:

Periskopi: Çka po ndodh me liberalizimin e vizave, ku është Kosova në këtë proces?

Lutfi Haziri: Liberalizimi i vizave nga rekomandimi i Këshillit të Ministrave për të marrë këtë të drejtë, ka  zbritur në deklarim, domethënë, në deklaratë të përbashkët për vullnet të mirë, që nënkupton që Kosova do të ketë një udhërrëfyes të ri, apo kushte të reja, për të arritur një datë për ta marrë çështjen e liberalizimit të vizave. Se sa do të jenë këto kushte dhe cilat do të jenë kërkesat e vendeve anëtare, në veçanti të Francës dhe Holandës, pritet të shihet këto ditë. Frika e madhe është që ky proces do të lidhet me progres në dialog apo me kërkesa për zbatim të disa vendimeve kushtetuese që ende kjo Qeveri po heziton t’i zbatojë.

 

Periskopi: Kosova ka arritur marrëveshje për energjinë me Serbinë në Bruksel dhe sipas kësaj marrëveshje, furnizimi me energjinë elektrike dhe mbledhjen e faturave në veri duhet ta bëjë Elektrosever, kompani pronë shtetërore e Serbisë për energji elektrike. Si e shihni ndryshimin e qëndrimit të z. Kurti?

Lutfi Haziri: Marrëveshja e vitit 2022 është e mirë për z.Kurti karshi marrëveshjes së vitit 2015 e cila ishte kundërshtuar me çdo mjet dhe me çdo formë protestuese, me mjete të dhunshme dhe me deklarime opozitare të vazhdueshme deri në kohën kur ai e pranoi një marrëveshje të tillë dhe tashmë po përgatitet implementimi i saj sipas udhërrëfyesit. Kjo metamorfozë e z. Kurti tregon ndryshim në metoda e jo në qëllimin e tij sepse ai po shihet që krejt kauzat e tij që i ka ndërtuar i ka pasur për një qëllim – ardhja në krye të pushtetit – për të marrë pushtet, për të marrë qeverisje, që në fakt nuk po e ushtron, por po administron me këtë Republikë. Nuk është vetëm çështja e KEDS’it, por është çështja edhe e koncesionit të Aeroportit, e cila po vazhdon të zbatohet në provizionet e saj. Janë edhe shumë vendime dhe procese që z. Kurti i ka kundërshtuar por që tash është zhytur në deri në fyt në implementim përkundër vonesës së madhe.

 

Periskopi: Qeveria ka aprovuar projekt-ligjin për pagën minimale, prej së cilës veteranët mbetën jashtë. Madje pati edhe protestë për këtë. Si e komentoni?

Lutfi Haziri: Jo vetëm veteranët që janë përjashtuar por janë përjashtuar edhe disa kategori sindikale që përfaqësojnë interesin e punëtorëve të tyre e që duhet të jenë partnerë socialë. Z. Kurti vetëm me linjat ministrore të tij në kuadër të dialogut social ka mbërri pajtueshmëri për pagën minimale dhe i ka përjashtuar partnerët socialë në këtë vendim, që nënkupton përjashtim për arsimtarët e  kategorive të rrezikuara sociale. Ndërsa, për veteranët janë vendosur kushte ‘që të spastrohen listat’ që të bëhet një listë e re sipas kërkesës dhe vullnetit të tij dhe të Vetëvendosjes e jo sipas meritës dhe atributit që shoqatat e dala nga lufta do të duhej ta kenë fjalën përfundimtare.

 

Periskopi: Ka hyrë në fuqi vendimi i ri i qeverisë për ‘tavanin’ e çmimit të derivateve në të gjitha bizneset. Si e keni parë këtë vendim dhe ngritjen e vazhdueshme të derivateve deri më tani?

Lutfi Haziri: Kemi rritje të çmimeve edhe në ushqim dhe në çdo segment të jetës sonë. Qeveria ndërhyrjen në derivatet e naftës e ka bërë shumë vonë. Por tregohet e shurdhër ndaj rekomandimeve që opozita, në këtë rast LDK po i jep me kohë, në mënyrë që të parandalohet dëmtimi i mirëqenies së qytetarit e të familjes në Kosovë. Edhe kjo ndërhyrje është e paefektshme sepse tendenca që të ulet për disa centë çmimin e berzës në Kosovë dhe ta kufizojë, rrezikon falimentimin dhe qindra mijëra punëtorë t’i lë papunë. Sidoqoftë, ta shohim se çfarë efekti të vogël do të ketë edhe pse është shumë vonë kjo ndërhyrje sepse qeveria është bërë aleate me të tjerët e jo me qytetarin. Është bërë aleate me ZRRE-në për shtrenjtimin e energjisë, sikurse edhe me konglomerate tjera për të qenë në anën e tyre e jo të qytetarëve./PERISKOPI/Intervistoi Besarta Hoti/

Shpërndaje në: