INTERVISTË/ Ish-komandanti i FSK’së: Kosova s’do të mund të futet në NATO me procedura të përshpejtuara

INTERVISTË/ Ish-komandanti i FSK’së: Kosova s’do të mund të futet në NATO me procedura të përshpejtuara

Ish-komandanti i Forcave dhe Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati në një intervistë për Periskopin ka folur për alarmin e tepruar nga krerët e shtetit lidhur me luftën Rusi-Ukrainë dhe mundësinë e përhapjes dhe destabilizimit të rajonit.

Kastrati ka treguar po ashtu nëse Kosova do të mund të futet me procedura të përshpejtuara në NATO, siç po synojnë institucionet e vendit.

Lexojeni intervistën e plotë:

Periskopi: Cila është gjendja e sigurisë në Kosovë? Pse sipas jush, krerët e shtetit po alarmojnë me deklarata të shpeshta për luftën?

Kadri Kastrati: Unë mendoj që nuk ka nevojë për shqetësime kaq të mëdha. Përhapja e panikut është e panevojshme tek qytetarët e Republikës së Kosovës për arsye se ne e kemi NATO’n në Kosovë. NATO’ja është përgjegjëse për sigurinë dhe kufinjtë e Kosovës. Një kujdesje, një vigjilencë është shumë e nevojshme, por jo panikë e tepruar.

Periskopi: Duke u bazuar në deklaratat e tyre, a mendoni se kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani kanë njohuri diçka më tepër rreth  ndonjë destabilizimi të mundshëm të situatës?

Kadri Kastrati: Është një alarmim i tepruar. Dhe kjo ndoshta pak për shkak që me i alarmu edhe shtetet mike tonat për një vigjilencë edhe një prezencë ushtarake më të madhe, por unë mendoj që nuk ka nevojë për një alarm kaq të madh.

Periskopi: A do të mund Kosova që përmes procedurave të përshpejtuara të bëhet anëtare e NATO’s?

Kadri Kastrati: Unë mendoj që jo sepse NATO i ka procedurat e veta, NATO i ka rregullat e veta që nuk mund të përshpejtohet si proces. I kemi katër shtete të NATO’s që nuk na kanë njohur dhe ato duhet të na njohin paraprakisht dhe duhet që parlamentet e tyre ta votojnë, sepse e kanë  rregull që nëse pranohet një shtet i ri, duhet që gjitha parlamentet e tyre të votojnë veç e veç, duhet të jetë një koncensus i plotë politik dhe kjo është çështje politike. Çështjet teknike operacionale ne i kemi plotësuar, por çështjet politike janë diçka krejt tjetër.

Periskopi: Ju keni qenë më herët në krye të FSK’së. Cila është situata me Ushtrinë e Kosovës. A po shkon hapave të duhur?

Kadri Kastrati: Unë mendoj që po. Ushtria e Kosovës është duke ecur në rrugën e duhur. Në aspektin taktik dhe operacional ne jemi të gatshëm. Ushtria është  e gatshme me hy në NATO, por siç e theksova çështjet politike krijojnë këto pengesat që janë.

Intervistoi: Kaltërina Misini

Shpërndaje në: