INTERVISTË/ Krasniqi: S’ka rritje të punësimit në Kosovë, s’e di nga i ka marrë Qeveria ato shifra

Periskopi.com Intervista

Pas fillimit të luftës në Ukrainë, edhe Kosova po përjeton një shok të rritjes së çmimeve në të gjithë sektorë. Disa nga shtetet e rajonit tashmë kanë vendosur masa të ndryshme për çmime si pasojë e krizës globale. Skënder Krasniqi, kryetar i Odës së Afarizmit të Kosovës ka shprehur nevojën e menjëhershme të ndërhyrjes së Qeverisë. Ai në një intervistë për Periskopin ka thënë se i kanë propozuar Qeverisë që të heqë TVSH-në për produktet bazë për të paktën tre muaj.

Rritja e çmimeve është reale, dhe po ndodhë ngase në varemi nga importi. Që kjo rritje të jetë më e vogël, kemi kërkuar nga qeveria të ndërhyjë, sikurse edhe shtetet tjera. Kemi kërkuar që TVSH-ja në produktet esenciale të ulët në zero për tre muaj rresht në mënyrë që të përballohen çmimet nga qytetarët. Pas tre muajve nga 8 për qind të jetë në 5 për qind. Vendet e rajonit ka kohë që i kanë bërë këto ndërhyrje. Qeveria jonë nuk ka bërë asnjë veprim në këtë drejtim. Do të reduktoheshin të hyrat, por edhe qytetarët do të mbroheshin, dhe do të kishin mundësi të hanin bukë, sepse pikë së pari ata duhet të kujdesen për këtë”, ka thënë Krasniqi.

Përfaqësuesi i një numri të madh të ndërmarrjeve në Kosovë, ka komentuar edhe rritjen prej 10 për qind të ekonomisë dhe rritjen e numrit të punonjësve prej 24 mijë personave që po proklamohet nga Qeveria, duke ia atribuuar punës një vjeçare të tyre.

Lexojeni intervistën e plotë:

Periskopi: Gjatë një viti të punës së kësaj Qeverie, a i kanë punët më mirë bizneset apo kanë stagnuar. Çka ka bërë pushteti për biznesin për një vit?

Krasniqi: Me fillimin e pandemisë, sikur në të gjithë botën edhe tek ne ndryshuan shumë gjëra. Nisi një sfidë e re për mbijetesë. Gjatë gjithë kohës ne i kemi furnizuar qeveritë me problemet që ka biznesi dhe nevojat për reagim. Realizmi i kërkesave nga të gjitha qeveritë, në këtë periudhë kohore të pandemisë ka qenë shumë i ngathët. Shumë i paktë në krahasim me nevojën. Kërkesat edhe tash janë imediate për një reagim të menjëhershëm. Ka ndodhë që herën e parë i kanë ndarë nga 170 euro për punëtor, pa u pyetur se sa e ka pagën, dhe a mund të mbijetojë me ato para. Ndërsa edhe ato të Marsit kanë filluar të jepen në Maj, e të Prillit në Shtator. Kjo i bie sikur dikujt t’i premtohet bukë tash e t’i jepet pas disa ditësh. Atij edhe mish t’i jepet nuk jeton më. Ka vdekur. Njëjtë është reagimi i qeverive ndaj bizneseve. Nuk reagohet menjëherë.

Periskopi: Me gjithë vonesat, ato mjete a kanë qenë e mjaftueshëm për bizneset?

Krasniqi: Jo veç që nuk kanë qenë të mjaftueshëm, por nuk i janë përmjaltur. Kemi kërkuar që të përkrahen bizneset me kredi për shpenzime operative për shkak se nuk kishin mundësi qarkullimi si rezultat i mbylljeve, as ajo nuk ka ndodhur. Kemi kërkuar që asnjë veprim i qeverisë të mos merret për kufizim të punës e të orarit pa përkrahjet paraprake financiare. Janë mbyllur bizneset dhe asnjë cent nuk u është dhënë. Në vitin e kaluar, në shtator për një muaj është mbyllur gastronomia. Të gjithë punëtorë, qiraxhinj kanë mbetur pa përkrahje, as që është menduar për përkrahje. Njëjtë ka ndodhur edhe në këtë vit kur ndodhi mbyllja për dy javë. Në përputhje më kërkesat kjo qeveri, sikurse tjerat është shumë larg.

Periskopi: Cilat janë kërkesat, me çka po ballafaqohet biznesi sot?

Krasniqi: Po ballafaqohet me shumë çka. E para me krizën botërore, si rezultat i luftës në Ukrainë. Po ballafaqohet me mungesë të furnizimit të bërjes, por edhe të rritjes së çmimit enorm, sepse ne në një masë prej 90 për qind e kemi importin e 10 për qind eksportin. As një shtet në botë nuk është më shumë se ne i varur nga importi.

Periskopi: Cili është sugjerimi juaj në këtë rast për Qeverinë?

Krasniqi: I kemi sugjeruar qeverisë që kontrata që i kanë me bizneset, t’i rishikojnë krejt institucionet publike për shkak të çmimeve. Në këtë plan janë dy mungesa. E para ka mungesë të materialit për furnizim të ushqimit dhe e dyta ka rritje mbi 100 për qind të çmimit të produkteve në krahasim me kontratat që janë shënuar si rezultat i gjendjes së jashtëzakonshme. Këtu duhet të analizohet gjendja, pasi nuk është e zakonshme. Të gjitha shtete në Evropë i kanë rishikuar kontratat, edhe ne kërkojmë që të rishikohen ato që janë lidhur në muajit dhe vitin e kaluar, përndryshe ata do t’i ndërprenë ato dhe do të ketë mungesë të  furnizimit me ushqim edhe të sektorëve esencial, ushtrisë, policisë, spitalet, burgjet. Pra nuk mund të furnizohen me kontrata që i kanë lidhur më herët, pasi çmimet kanë fluturuar.

Periskopi: Kryeministri tha se: “Nga shtatori 2020 deri në shtator 2021 janë 25 mijë e 200 vende të punës. 10 mijë janë si rezultat i Pakos Ekonomike”. Cili është komenti juaj lidhur më këtë?

Krasniqi: Nga janari i vitit 2021, Enti i Statistikave të Kosovës nuk ka bërë asnjë  publikim, rreth numrit të punësuarve, që është no koment. Vetëm tre mujori i parë i vitit 2021 ekziston, do të duhej të jetë edhe i dyti, i treti e i katërti.. Pse nuk është bërë duhet të pyetet qeveria, meqë ASK është pjesë e shtetit dhe varet nga Ministria e Financave. Pra, ky ent çdo herë publikon raportet e punësimet, këtë herë nuk e ka bërë?

Periskopi: Ku i ka marrë statistikat Kryeministri?

Krasniqi: Nuk e di ku e kanë marrë këtë gjendje, sepse do të duhej t’i referohej një institucioni zyrtar, dhe ai institucion është ASK, të gjitha tjerat janë paragjykime.

Periskopi: Nga komunikimet e juaja të përditshme me bizneset, a keni vërejtur se ka rritje të të punësuarve?

Krasniqi: Situata në terren tregon se ndoshta mund të ketë një numër më të madh të legalizimit të punëtoreve, por jo rritje të numrit të punëtoreve. Për shkak të ofertave që ka dhënë qeveria, që ata punëtorë që regjistrohen do të marrin një pjesë për tre muaj. Nëse dikush punësohet për një vit, ndodh mund të jetë ajo. Pra, ka që kanë bërë legalizim të punëtoreve me pagë minimale, por nuk është rritje e punësimit. Ne nuk kemi parë në teren që kanë rritje të punësimit.

Periskopi: Qeveritarët, por edhe Banka Qendrore kanë thënë se ka rritje ekonomike rreth dhjetë për qind. A ka një rritje të tillë, dhe nëse po, cilët indikatorë kanë ndikuar?

Krasniqi: Këtu është bërë krahasimi në bazë të gjendjes në mes vitit 2020 dhe 2021. Në vitin 2020 ka pasur rënie të madhe në krejt vendet e botës, po ashtu ka pasur edhe tek ne, për shkak të mbylljes nga pandemia. Llogaritë kanë qenë se rreth 60 mijë vende të punës kanë humbur në atë vit. Ndërkohë në vitin 2021 ka pasur një hapje, dhe këtë rritje e kanë përplasur më  2020. Nëse e bëjmë krahasimin më vitin 2019, apo 2018, nuk ka pasur asnjë rritje. Ne do të kishim dëshirë, por nuk ka pasur.

Periskopi: Si po e shihni reagimin e shtetit përballë rritjes së çmimeve. A duhet të ketë reagim, apo biznesi dhe qytetarët duhet të përballen vetë?

Krasniqi: Rritja e çmimeve është reale, dhe po ndodhë ngase ne varemi nga importi. Që kjo rritje të jetë më e vogël, kemi kërkuar nga qeveria të ndërhyjë, sikurse edhe shtetet tjera. Kemi kërkuar që TVSH-ja në produktet esenciale të ulet në zero për tre muaj rresht në mënyrë që të përballohen çmimet nga qytetarët. Pas tre muajve nga 8 për qind të jetë në 5 për qind. Vendet e rajonit ka kohë që i kanë bërë këto ndërhyrje. Qeveria jonë nuk ka bërë asnjë veprim në këtë drejtim

Periskopi: Qeveria nuk po e bënë këtë, ngase më pas buxheti do të kishte disa milionë më pak në arkë në fund të vitit?

Krasniqi: Po do të reduktoheshin të hyrat, por edhe qytetarët do të mbroheshin, dhe do të kishin mundësi të hanin bukë, sepse pikë së pari ata duhet të kujdesën për këtë. Edhe shtetet tjera e kanë bërë këtë, edhe ata kanë disa miliona më pak, pra jetesa e qytetarëve është më e rëndësishme se kjo. Pasi buxheti shfrytëzohet e duhet të shfrytëzohet për qytetarët. Ulja e TVSH-së nënkupton mbroje ndaj qytetarëve, jo bizneseve, sepse ato i shesin produktet për aq sa munden. Natyrisht se këtu po dëmtohet edhe biznesi, sepse për shkak të rritjes së çmimeve ka edhe një rënie të konsumit.

Intervistoi: Mentor Buzhala