INTERVISTË për Periskopin: Lutfi Haziri flet për pozitën e tij, kandidatin për kryeministër dhe koalicionin me VV’në

INTERVISTË për Periskopin: Lutfi Haziri flet për pozitën e tij, kandidatin për kryeministër dhe koalicionin me VV’në

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri në një intervistë ekskluzive për Periskopin ka folur rreth vendimeve që do të merren nesër gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Haziri tregon nëse LDK nesër do të dalë me propozimin e emrit për kryeministër.

Po ashtu,  në prag të zgjedhjeve, ai flet edhe rreth koalicioneve të mundshme me partitë e tjera.

 

Intervista e plotë:

Periskopi: Lidhja Demokratike e Kosovës nesër pritet të mbajë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm. Cilat do të jenë vendimet që do të merren brenda këtij takimi?

Lutfi Haziri: Hapi i dytë pas konstituimit të Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së, është zgjedhja e Kryesisë. Ky organ më i lartë ekzekutiv. Tashmë janë shpërndarë materialet punuese. Nesër Këshilli i Përgjithshëm në 17:30 do të zgjedhë organet, përveç kryetarit i cili është zgjedhë në Kuvend, do të zgjedhë nënkryetarët, sekretarët dhe anëtarët e kryesisë. Ndërsa natyrisht që do të punohet edhe në përgatitje për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Periskopi: A do të diskutohet nesër për emrin e kryeministrit në LDK?

Lutfi Haziri: Jo, nuk është pjesë e diskutimit në takimin e nesërm, por Kryesia. Natyrisht do të diskutohet edhe  perceptimi publik dhe përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës.

Periskopi: Atëherë kur do të merreni vesh për këtë çështje?

Lutfi Haziri: Nuk është çështje e nesërme. Sigurisht që është çështje urgjente edhe çështja e koalicionit edhe çështja e nominimit eventual, por nuk është që  nesër do ta diskutojmë. Kur t’i vije radha.

Periskopi: A do të jeni sërish njëri nga nënkryetarët e LDK’së?

Lutfi Haziri: Do të varet nga kryetari i LDK’së. Ai e ka besimin e plotë të Kuvendit për propozime. Dhe natyrisht që Këshilli e voton në fund. Do të jetë  e gjitha në vullnetin politik të kryetarit të LDK’së, Isa Mustafës i cili do të bëjë vlerësimin , performancën dhe angazhimin e secilit prej neve, duke u bazuar në angazhimin politik të katër viteve të kaluara. Kështu që është jashtëzakonisht i lirë dhe besoj që nesër ka me e propozu ekipin për katër vitet e ardhshme.

Periskopi: Kur jemi tash në prag të zgjedhjeve, e dimë që është folë shumë për një koalicion të mundshëm me Vetëvendosjen. Cilat janë gjasat që të ndodh diçka e tillë? Me cilat parti tjera, LDK do të lidhte koalicion para apo paszgjedhor?

Lutfi Haziri: Parimisht ne kemi një vendim që LDK shkon në zgjedhje e vetme. Por në të njëjtën kohë po bashkëpunojmë shumë afër me gjitha partitë e tjera politike, përjashto PDK’në. Me VV kemi ngritë takimet për  punë të përbashkëta. Do të fokusohemi tek çështjet që bashkohemi kryesisht. Tek çështjet programore që lidhen me interesin  e programit qeverisës dhe në ditët e ardhshme do të kemi qëndrim edhe rreth kësaj çështjeje.

Intervistoi: Kaltërina Misini

Shpërndaje në: