INTERVISTË: Përgjigjet e Zelenskyt prej ‘a po flen ndonjëherë’ e deri tek kompromiset me Rusinë

INTERVISTË: Përgjigjet e Zelenskyt prej ‘a po flen ndonjëherë’ e deri tek kompromiset me Rusinë

Presidenti i Ukrainës, Wolodymyr Zelensky në një intervistë të gjatë për prestigjiozen gjermane, Bild ka folur për luftën ruse në shtetin e tij dhe rezistencën që po e bëjnë tash e dy javë.

Zelensky është pyetur për shumë çështje, duke nisur prej asaj se ‘a po flen ndonjëherë’ e deri tek kompromiset.

Periskopi ua sjell të përkthyer intervistën e plotë:

BILD: Zotëri president, njerëzit në Gjermani po pyesin veten: Si po ia dilni, a po fleni ndonjëherë?

Zelensky:  Në të gjitha zonat e okupuara të vendit dhe në të gjitha vendet tjera ku valon flamuri ynë verdh e kaltër, njerëzit nuk po flenë shumë. Jemi duke e mbrojtur vendin tonë tashmë qe dy javë.

BILD: Ne po shohim numër të madh të videove të gruas tuaj dhe të familjes tuaj. Ju jeni në listën e vrasjeve të Moskës. Çka do të thotë kjo për familjen tuaj?

Zelensky: Ata janë krenarë me mua. Ata janë krenarë që jem ukrainas. Ata e kuptojnë që unë mund të isha larguar për siguri deri më tani. Por ata më kuptojnë dhe e mbështesin vendimin tim sepse është vendim për vendin tonë. Ata duan të Kievi të qëndrojë fort. Natyrisht, si natyrë njerëzore, ata brengosen për mua, por zemrat e tyre janë gjithmonë me mua. Është historia e vendi tonë dhe ne po jetojmë në këtë moment. Më vonë do ta kujtojmë se sa e vështirë ishte dhe se sa keq ishte për secilin banor të vendit tonë. Por ne do t’i kujtojmë momentet më shumë kur ndryshuam diçka.  Qëllimi ynë është  ta fuqizojmë vendin tonë, pa marrë parasysh se sa e vështirë është. Unë e bëj këtë për fëmijët dhe për nipërit e mi. Nuk dua të jem një shtytës.

BILD: Bota po hamendëson se sa afër janë rusët, ndoshta ditë ose orë prej Kievit. Si është i rrethuar Kievi? Sa larg jeni të qenurit i rrethuar, zotëri president?

Zelensky: Qasjet e rrugëve për në Kiev janë të bllokuara. Por ne jemi këtu. Dhe ju personalisht mund ta vlerësoni vetë situatën në Kiev. Unë nuk brengosem se ku po fshehet armiku, ose sa afër është ai. Unë brengosem për vendin tonë, për furnizimet me ujë, për furnizimet me ushqim. Brengosem për Mariupolin, Donetsk, Melitopol, Kharkiv- për situtatën e tmerrshme atje. Njerëzit janë pa ujë dhe pa ushqim. Ajo se çfarë po ndodh në Mariupol është një katastrofë humanitare. Kolonat e ndihmave humanitare janë dërguar në vendin tonë, por ato po qëllohen me plumba, ushtarët rusë nuk po i lejojnë të hyjnë. Ne kemi shoferë trima të cilët nuk po ndalen pavarsisht granatimeve. Dje u pajtuam që të punojmë me Kryqin e Kuq. Unë e kuptoj se si qenie njerëzore, ne gjithmonë shqetësohemi për jetën tonë. Megjithatë, ne duhet ta vendosim të parën ndihmën humanitare. Ne nuk kemi ndonjë zgjidhje të përgjithshme ose hapa që mund të marrim tani për tani. Kemi një terror të vërtetë ndaj historisë sonë.

BILD: Kam frikë se Kievi do të rrethohet. Ju nuk keni frikë?

Zelensky: Unë nuk jam i frikësuar. Frikë ndaj kujt? Unë nuk duhet të kem frikë, unë mbes i qetë. A dini ju se si dikush mund ta tejkalojë frikën? Çka mund të ketë më të keqe se frika? Çka mund të jetë më e keqja që mund të ndodhë? Me vendin e tyre, me vendin tim?

Më e keqja që ka mundur të ndodhte tashmë ka ndodhur. Kemi një luftë- Rusia kundër Ukrainës. Kaq shumë njerëz kanë vdekur. Vendi është shkatërruar. Çka mund të jetë me e keqe për njerëzit që u kanë vdekur fëmijët e tyre? Por ne besojmë në të ardhmen. Në nuk do të dorëzohemi, ne nuk do ta shesim tokën tonë.

BILD: Gjermania edhe më tutje kundërshton embargon ndaj importeve të naftës dhe gazit nga Rusia? A jeni të zhgënjyer me kancelarin Scholz dhe me popullin gjerman që nuk po ju mbështesin më?

Zelensky: Unë nuk mund t’i paragjykoj veprimet e Gjermanisë. Qeveria mendon së pari për vendin e vet dhe kjo nuk duhet të mbetet pa u thënë. Shumë njerëz në Gjermani e mbështesin Ukrainën. Qeveria e kancelarit është zgjedhur nga populli dhe unë mendoj se ne duhet të përmbahemi. Ne kemi parë disa hapa që Gjermania po na mbështet, me sanksionet ndaj Nord Stream 2. Ne po shohim se çka po bën Gjermania. Unë nuk dua ta gjykoj zotin Scholz dhe qeverinë e tij. Atë do ta bëj pasi ne t’i shohim rezultatet dhe të shohim se si do të përfundojë lufta, sa viktima janë. Për ne, çdo minutë është i çmuar, në çdo minut njerëzit mund të vdesin. Sapo mora lajmin se spitali i fëmijëve në Mariupol është sulmuar. Ende nuk kam informacione rreth viktimave, por me të vërtetë shpresoj që njerëzit të jenë në gjendje të fshehen. Si mund të ndodhë një gjë e tillë. Ata janë kafshë që bëjnë gjëra të tilla. Çka po sillet në kokën e tyre?  Nëse një raketë godet spitalin e fëmijëve në Gjermani, atëherë çka? Imagjinojeni veten tuaj në situatën tonë, në do të diskutonim dhe do të negocionim. Kjo është dhimbja jonë SOT dhe unë kam nevoj për zgjidhje SOT.

BILD: Çka për anëtarësimin në Bashkimin Evropian?

Zelensky: “Qeveritë që nuk mbështesin anëtarësimin në BE i referohen disa reformave që duhen të ndodhin. Ata nuk na shohin si të barabartë. Unë kam ende shumë pyetje të papërgjigjura.

BILD: Shumë njerëz po ankohen rreth rritjes së çmimeve të gazit dhe naftës. Pse është ende e rëndësishme që ne të bojkotojmë naftën dhe gazin  e Rusisë?

Zelensky: E dini çfarë? Ka disa vlera që janë shumë të vështira për t’u shpjeguar deri në momentin që të ndodh një luftë në vendin tuaj. Atëherë ju nuk mendoni më rreth reformave. Nuk iu shkon mendja të bleni asgjë ose rreth rregulloreve. Ju nuk mendoni as për rritjet e gazit dhe energjisë elektrike. Ju më nuk mendoni të kurseni që të shkoni në pushime. Ju nuk mendoni më rreth faktit që taksat rriten çdo vit. Të gjitha këto mbesin në prapavijë kur fillon lufta dhe asgjë tjetër nuk ka më prioritet.  Kjo nuk është vlera e vërtetë e jetës. Vlera e vërtetë është që ju të jetoni dhe mos vriteni. Dhe kjo është ajo çka duhet të bëjë Evropa: të mbrojë jetën dhe të vendos vlerat së pari. Uroj që prioritetet në jetën tuaj të mbesin vlerat e vërteta. Ajo çka po ndodhë te ne mund të ndodhë gjithashtu te ju. Dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua: ne gjithashtu do të vdisnim për ju!

BILD: Cila do të ishte përgjigja juaj ndaj kërkesës për të pranuar pavarësinë e Donbasit dhe që Krimea t’i përket Rusisë? A jeni i gatshëm që të dorëzoheni në emër të paqes?

Zelensky: Pyetja këtu nuk është se çka mund të jap. Në çdo negociatë, qëllimi im është të përfundoj luftën me Rusinë. Dhe unë jam duke marr hapa konkret për këtë. Kompromiset mund të bëhen, por ato nuk duhet të jenë tradhti ndaj vendit tim. Edhe pala tjetër duhet të jetë e gatshme për të bërë kompromise- prandaj ato quhen kompromise. Kjo është mënyra e vetme që ne të dalim nga kjo situatë. Ende nuk mund të flasim për detaje. Ne nuk kemi pasur ende biseda direkte ndërmjet presidentëve. Vetëm pas bisedimeve direkte në mes presidentëve mund të përfundohet lufta.

BILD: Si ju përgjigjeni fëmijëve kur ata u thonë juve: Babi, a duhet të largohemi nga Ukraina?

Zelensky: Fëmijët me thonë që unë duhet të qëndroj këtu. Por ata nuk duhet ta humbin periudhën e mrekullueshme të fëmijërisë së tyre duke u përpjekur ta bindin babain e tyre për ta lënë vendin e tyre.

(Intervistoi mediumi gjerman BILD, përktheu Periskopi)

Shpërndaje në: