Të hetohen listat e veteranëve

Të hetohen listat e veteranëve

Në një intervistë për Periskopi.com, Murati pranon se remitencat kanë rënë, por sipas tij ato duhet shndërruar në investime.

Murati shpjegon se si janë kërkuara pesë vende të rezervuara në Kuvend për përfaqësuesit e diasporës, por thotë se kjo do shumë punë.

Sa i përket shuarjes së digasterit që ai udhëheq, Murati nuk beson se kjo do të ndodh.

Për Periskopi.com ai ka folur edhe për largimin e Listës Serbe nga institucionet, për gjendjen e brendshme të koalicionit qeverisës, për demarkacionin dhe çështje që kanë të bëjnë me diasporën.

Intervista e plotë:

Periskopi: Sa janë krijuar kushtet për investime nga diaspora në Kosovë?

Murati: Ne konsiderojmë se kemi arritur të krijojmë një klimë më të mirë, më miqësore për bizneset e diasporës, mbi të gjithë duke i trajtuar problemet e bizneseve nga diaspora përmes mekanizmave institucional (siç janë p.sh. Grupi Tërheqjen e Investimeve nga Diaspora që udhëhiqet nga Ministria e Diasporës dhe që është pjesë e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik), duke shërbyer si urë lidhëse në mes të këtyre bizneseve dhe institucioneve të tjera të vendit por edhe përmes bashkëpunimit me rrjetet e bizneseve nga diaspora dhe përpjekjeve për t’i shndërruar këto rrjete në partner të zhvillimit të vendit. Kjo sigurisht nuk është e mjaftueshme sepse ne vetë synojmë që të punojmë që ambienti për investime nga diaspora të jetë edhe më i mirë. Pra njëkohësisht puna për përmirësimin e vazhdueshëm të ambientit për investime është edhe një motiv shtesë për punë. Dhe kjo për një arsye të thjeshtë, sepse unë konsideroj se bizneset e diasporës janë vija e parë e frontit të investimeve të cilat ne duhet t’i tërheqim të vijnë në Kosovë. Është vështirë që  vijë një gjerman, austriak, amerikan nëse nuk na vijnë shqiptarët e diasporës për të investuar këtu. Por njëkohësisht përveç që ne synojmë t’i tërheqim bizneset nga diaspora, konsiderojmë se këto biznese nga diaspora janë ura lidhëse më e mirë edhe me bizneset e huaja. Njëkohësisht me përpjekjet për të tërhequr bizneset e reja nga diaspora të vijnë dhë të investojnë, ne jemi marrë jashtëzakonisht shumë edhe me problemet e bizneseve nga diaspora të cilat operojnë në Kosovë, sepse, konsiderojmë se këta që janë brenda, në rast të përvojave pozitive, mund të jenë agjentët më të mirë për bizneset e tjera të diasporës. Nëse këta që janë brenda nuk janë të kënaqur është vështirë që ne të bindim të tjerët për të ardhur dhe investuar në Kosovë.

Periskopi: A ka rritje të hapjes së bizneseve të diasporës në Kosovë?

Murati: Biznese që hapen në Kosovë nga diaspora ka vazhdimisht. Por, sigurisht që nuk jam i kënaqur dhe nuk duhet të jemi të kënaqur asnjëherë, sepse ne kemi nevojë për një dinamikë shumë më ta madhe të zhvillimit ekonomik dhe të investimeve. Por njëkohësisht, unë ndjehem keq sepse nuk kam mundësi që në aspektin statistikor ta dëshmojmë numrin e bizneseve të diasporës në Kosovë nga viti në vit. Ne kemi biseduar me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë që Agjencioni i Regjistrimit të Bizneseve të krijojë mundësitë që kur bizneset të regjistrohen të mund të deklarohen se vijnë nga diaspora. Përderisa kjo nuk do të ndodh, në planin statistikor do të kemi vështirësi të jemi të saktë. Por atë që mund ta them nga përvoja dhe puna është se investimet nga diaspora janë shumë më të mëdha sesa ndonjëherë perceptohen në opinion, përfshirë këtu edhe faktin se edhe shumë investime me pronarë të huaj, në realitet zakonisht e kanë një urë lidhëse ndonjë ndërmarrës apo profesionist tonë nga diaspora.

Periskopi: Sa arrin vlera e remitencave çdo vit dhe a ka rënie të tyre?

Murati: Unë do të thosha se shifra e remitencave vazhdon të jetë e madhe, dhe ky trend do të na përcjell edhe për një periudhë. Natyrisht që në planin afatgjatë remitencat do të bien, por kjo rënie besoj do të jetë graduale. Për vitin 2014 remitencat sipas shifrave zyrtare të BQK-së, ishin 690 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar rreth 750 milionë. Ende nuk kemi shifra për vitin 2016, por ka indikacione që mund të ketë për 2 për qind zvogëlim, por në totalin e përgjithshëm, ky zvogëlim është i vogël dhe prapë besoj se do të sillet rreth 700 milionë eurove, që për Kosovën është burim i i jashtëzakonshëm i të ardhurave, i vetmi bilanc pozitiv që ka. Realisht ne mund të flasim për një sasi të madhe të parave që hyjnë në Kosovë dhe të cilat na mbajnë një stabilitet socio-ekonomik në vend. Në anën tjetër duhet të jemi të vetëdijshëm, se përkundër faktit që këto remitanca janë të rëndësishme, ne duhet të përqendrohemi që t’i rrisim investimet nga diaspora në ekonomi, në hapjen e vendeve të reja të punës e sidomos në prodhim dhe shërbime. Sidoqoftë unë besoj se ka hapësirë të bëjmë përpjekje që një pjesë të këtyre remitencave t’i kthejmë në investime (strategjikisht, edhe sipas praktikave botërore, në variantin më të mirë 6-8% të remitancave mund të kanalizohen në investime). Ne jemi duke bërë përpjekje që në vitet vijuese (jemi në fazën e hartimit të projektit) me  Ministrinë e Bujqësisë dhe atë të Zhvillimit Ekonomit, por edhe të donatorëve të jashtëm, të fillojmë gradualisht të shtrojmë rrugën për aplikimin e skemave të granteve korresponduese, në mënyrë që një pjesë e remitencave përmes këtyre granteve t’i fusim në ekonomi dhe në hapjen e vendeve të reja të punës, posaçërisht në projekte të vogla në bujqësi ose në teknologjinë informative. Këtë koncept ne kemi arritur ta fusim edhe si pjesë të Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin Ekonomik. Tash na mbetet që pas definimit të projektit dhe pjesës buxhetore të mendojmë të fillojmë në periudhën e ardhshme me një projekt-pilot të këtyre granteve.

Pesikopi: A janë krijuar kushte më të mira për nxjerrjen e dokumentacionit nga mërgata?

Murati: Ne që dy vite  e kemi bërë praktikë që në prag të ardhjes së mërgimtarëve të takohemi me kryetarët e komunave në mënyrë që të mobilizohemi që t’i presim ata sa më mirë. Në këtë drejtim atë që mund ta vërej kohëve të fundit është se kemi një ngritje të cilësisë në ofrimin e shërbimeve të administratës tonë, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror edhe kur është në pyetje lëshimi i dokumenteve zyrtare. Tash është e lehtë që ata të cilët janë regjistruar t’i nxjerrin dokumentet kudo në Kosovë. Por më duhet të konstatoj se përkundër të gjitha vështirësive që kemi pasur si një shtet i ri, një pjesë e mirë e këtyre shërbimeve tani kryhet edhe në konsullatat dhe ambasadat tona. Madje me të gjitha vërejtjet që ne mund t’i kemi, mund të them se Kosova i ka ndër shërbimet më të mira konsullore krahasuar me vendet e rajonit. Andaj unë shumë shpesh u kam bërë thirrje bashkatdhetarëve që një pjesë të shërbimeve t’i kryejnë atje pa pasur nevojë që ato t’i kryejnë kur të vijnë në Kosovë. Ne si ministri kemi krijuar një grup teknik, në të cilin bëjnë pjesë edhe përfaqësues nga MPJ, MPB, MAPL dhe ku ndër të tjera trajtohen edhe problemet që kanë bashkatdhetarët në nxjerrjen e dokumenteve dhe bëjmë përpjekje që rast për rast të merremi me problemet e bashkatdhetarëve tonë.

Periskopi:  A është arritur që diaspora të kyçet politikisht në Kosovë?

Murati: Një pjesë e madhe e njerëzve që sot janë në politikë në të kaluarën kanë qenë aktiv në jetën politike të diasporës shqiptare. Sidoqoftë diaspora jonë nuk është prezentë zyrtarisht në institucionet tona. Është Ministria e Diasporës si mekanizëm i krijimit të politikave për diasporën dhe dera e parë e diasporës për tek institucionet e tjera të vendit, por mungon përfaqësimi politik i diasporës në institucionet tona. Nuk ka dyshim që zgjidhja më e mirë është krijimi i vendeve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës për t’u përfaqësuar diaspora jonë. Ky duhet të jetë një synim i yni afatgjatë si shoqëri. Mirëpo duke qenë se kjo implikon ndryshimin e kushtetutës, atëherë shndërrohet në një projekt politik dhe juridik vështirë i realizueshëm në planin afatshkurtër. Ajo që unë ua kam shtruar partive politike, në takime formale e joformale, madje tani së fundmi edhe në Komisionin për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, është që së paku në këtë fazë ne duhet hapur ta artikulojmë këtë si vullnet politik dhe të shtrojmë rrugën që kurdoherë kur të krijohen kushtet ta realizojmë këtë ndryshim kushtetues. Ju e dini se në planin afatshkurtër ndryshimi i Kushtetutës është problematik sepse duhen dy të tretat e dyfishta, përkatësisht 2/3 edhe të 20 deputetëve të pakicave. Po shihet bllokimi që i bëhet shndërrimit të FSK-së në ushtri nga ana e Listës Serbe dhe unë kam frikë se njëjta mund t’i ndodh edhe iniciativës për vendet e rezervuara nga diaspora. Kjo gjendje është e tillë në këtë situatë afatshkurta dhe afatmesme politike, por unë besoj që synimi jonë si shoqëri është që ne ta ndryshojmë Kushtetutën, në të gjitha elementet e saj që na bën shtet jofunksional dhe në rrugë e sipër të përfshijmë në të së paku 5 vende të rezervuara për diasporën.

Periskopi: Është folur  se në kuadër të riformatimit të Qeverisë do të shuhet Ministria e Diasporës. A keni ndonjë njoftim zyrtar në lidhje me këtë?

Murati: Me mua personalisht askush nuk ka biseduar për shuarjen e kësaj ministrie. Nuk  është biseduar as në kapacitetin e ministrit dhe as të kryetarit të Lëvizjes për Bashkim. Pra, në asnjë kapacitete mua nuk më është njoftuar ky  vendim, bisedë, diskutim. Ajo që unë kam dëgjuar, kanë qenë trajtime, biseda, analiza nëpër media dhe deri tash nuk kam marrë informatë që kjo çështje është duke u trajtuar seriozisht nga dikush në Qeveri apo nga partnerët e koalicionit. Në anën tjetër, në fund të muajit të kaluar ka kaluar koncept dokumenti për diasporën, që nënkupton një ligj të ri, përkatësisht funksionalizim i mëtejmë i rolit të ministrisë. Gjithashtu jemi pjesë e buxhetit për vitin e ardhshëm, element që dëshmon se ministria vazhdon të ekzistojë dhe të punojë.

Periskopi: Në qoftë se do të ndodh shuarja e kësaj Ministrie cilat konsideroni se do te ishin pasojat?

Murati: Nëse ministria shuhet dhe shpërndahet nëpër ministri të tjera, atëherë do të shuhej një mekanizëm që do t’i trajtonte çështjet arsimit shqip në diasporë, çështjet e aktiviteteve kulturore, investimeve nga diaspora, të përfaqësimit të diasporës, çështjen e të drejtave të saj etj. Do të shuhej një zë, një adresë për të, dhe duke i shpërndarë departamentet në ministri të tjera, do të krijohej një kaos i madh në të cilin më së shumti do të pësonte diaspora, sepse askush më nuk do të merrej me të si prioritet. Por në fund të fundit do të humbim edhe ne si Kosovë, posaçërisht nëse nuk e kemi vetëm parullë mediale dhe elektorale se diasporën duhet ta trajtojmë si një resurs të jashtëzakonshëm.

Periskopi: A mendoni se Qeveria do te bej përpjekje për ta sjell ne ratifikim demarkacionin edhe njëherë?

Murati: Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se jemi në një periudhë ku ka përpjekje për të negociuar një marrëveshje në mes subjekteve politike për ta gjetur një zgjidhje. Cili do të jetë vendimi nuk e di.  Ne si Lëvizje për Bashkim kemi qenë ndoshta një nga subjektet e para që kemi thënë, së paku prej marsit të këtij viti se çështja e demarkacionit duhet të shkojë në arbitrazh ndërkombëtar. Realisht për të ndodh kjo ose duhet që demarkacioni të mos ratifikohet në Kuvend me që rast do të krijoheshin kushtet për të shkuar në arbitrazh ose do të duhej të kishim tërheqje nga Qeveria. Në të gjitha variantet ne mendojmë se arbitrazhi është një zgjidhje për ta tejkaluar këtë ngërç të brendshëm, por para se të dërgohej në arbitrazh me pajtimin edhe të Malit të Zi do të mund të kishim përpjekje edhe për rinegociim të marrëveshjes. Por, është e rëndësishme që ne përfundimisht duhet të gjejmë forcë politike që bashkërisht të gjejmë një zgjidhje dhe të mos lejojmë që të shndërrohet demarkacioni një kalë beteje në luftën tonë politike dhe një pengesë për të gjitha proceset tjera në vend.

Periskopi: A mendoni se ekspertët e dëshmuan të gabuar versionin aktual të demarkacionit me Malin e Zi?

Murati: Qëndrimi i  Lëvizjes për Bashkim ka qenë që ky proces për një kohë të gjatë ka vuajtur nga mungesa e transparencës në raport me opinionin publik. Duke qenë që kontestimi është shumë i madh për këtë proces, kontestim që ka krijuar një polarizim brenda nesh, dhe ka krijuar mosbesim ndaj këtij procesi atëherë konsiderojmë se në këtë situatë këtë proces duhet ta bartim në një mekanizëm tjetër, që duhet të jetë ndërkombëtar, dhe të cilit duhet të merremi vesh edhe t’i besojmë e edhe ta zbatojmë vendimin e tij.

Periskopi: Si e komentoni shpërfilljen e institucioneve të vendit nga ana e Listës Serbe?

Murati: Mendoj që është një taktikë e tyre politike, në mënyrë që t’i vendosin institucionet e vendit nën një presion të vazhdueshëm, në mënyrë që Kosova të detyrohet që për të gjitha proceset e brendshme politike dhe ekonomike të negociojë me Serbinë dhe të detyrohet bëjë koncesione të paarsyeshme në raport me Serbinë dhe me pakicën serbe në Kosovë. Ata janë të vetëdijshëm që ne kemi një situatë që sipas Kushtetutës duhet të kemi përfaqësim të pakicave në Qeveri, e posaçërisht të asaj serbe. Pozitive është që Qeveria, Kuvendi, dhe institucionet e tjera të vendit kësaj radhe kanë vepruar me vendosmëri dhe nuk kanë ra pre e shantazheve të Serbisë, sidomos kur ishte në pyetje Ligji për Trepçën dhe ai i Investimeve Strategjike. Gjithashtu më duhet të theksoj se me këtë politikë nuk i shërbehet interesave dhe të drejtave të serbëve në Kosovë, raporteve shqiptaro-serbe në Kosovë e as raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Me këtë politikë ne vetëm mund të kemi tensione të vazhdueshme dhe jo zgjidhje të problemeve reale të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Periskopi: Si qëndrojnë raportet e Lëvizjes për Bashkim me PDK-në?

Murati: Janë raportet normale pune, të cilat si në çdo raport pune sigurisht që çdo herë kanë hapësirë për t’u përmirësuar. Deri tani kanë funksionuar me një normalitet të vetin.

Periskopi: Si e komentoni numrin e madh të veteranëve të UÇK-së?

Murati: Ne si Lëvizje për Bashkim kemi qenë shumë kritikë ndaj këtij procesi. Jemi subjekti i parë politik që kemi konsideruar se ky proces ka mangësi dhe ka manipulime të mëdha me listat e veteranëve luftëtarë, andaj edhe kemi bërë thirrje që Prokuroria e Kosovës t’i fillojë hetimet për këtë çështje. Manipulimi i numrit të veteranëve luftëtarë më shumë se sa që e godet buxhetin e Kosovës, e  godet nderin dhe dinjitetin e veteranit të vërtetë, duke e barazuar ligjërisht veteranin me matrapazin dhe përfituesin dhe njëkohësisht e dëmton edhe imazhin e luftës çlirimtare. Mendoj që Prokuroria e Kosovës ka hapësirë t’i fillojë hetimet në mënyrë që të bëjë përpjekje që këtë proces ta vendos në vijë.

 

Shpërndaje në: