INTERVISTË / Veliu: Xhelal Sveçla mos të krekoset për merita lidhur me aksionin ‘Pika’, ishte planifikuar moti

INTERVISTË / Veliu: Xhelal Sveçla mos të krekoset për merita lidhur me aksionin ‘Pika’, ishte planifikuar moti

Ish-ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Agim Veliu, në një intervistë të shkurtër me Periskopin, ka komentuar zhvillimet e ditëve të fundit në vendin tonë, sidomos në sektorin e sigurisë.

Ne e pyetëm z.Veliu lidhur me aksionin e fundit të Policisë ku u arrestuan 48 zyrtarë policorë dhe dy të doganave. Si dhe e pyetëm, për Fondin e Sigurisë – iniciuar nga Qeveria Kurti për të mbledhë para për FSK-në.

Krejt në fund, ish-ministrin e brendshëm  – tani deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës – e pyetëm edhe për qëndrimin e tij lidhur me Ligjin e veçantë për martesat mes gjinive të njëjta.

Më poshtë, intervista me z.Agim Veliu:

Periskopi: Cili është komenti juaj për aksionin e fundit, ku u arrestuan 48 policë, dhe e kujt është merita për këtë aksion sipas jush?

Agim Veliu: Aksionet e tilla ka pasur më herët, sigurisht e përshëndes këtë aksion të Inspektoratit Policor dhe Prokurorisë së shtetit sepse Policia e Kosovës ka kohë që vlerësohet si institucion shumë i besueshëm dhe është mirë që brenda për brenda institucionit të luftohet  çfarë do lloj krimi qoftë ai.

Këtu nuk bisedohet për merita sepse meritat janë të institucioneve që e kane obligim ligjorë e kushtetues ta bëjnë këtë punë. Ndërsa, ky aksion ka filluar shumë herët edhe bash asnjë lidhje ministrin aktual të Punëve të Brendshme në këtë punë nuk e ka, dmth nuk e ka asnjë meritë, nuk ka pse të krekoset, po e them kështu hapur.

Periskopi: Si e keni parë vendimin e qeverisë Kurti për themelimin e Fondit të Sigurisë?

Agim Veliu: Zakonisht Kurti bën këso veprimesh, kur duhet punë e zgjidhje të problemeve e kur ai nuk ka ide se si zgjidhet një punë kur ai e ka përpara ai e bën një veprim të tillë popullsit që për mua nuk është rrugë e drejtë, sepse janë institucionet e Kosovës, buxheti i Kosovës është ai i cili duhet të garantoj  siguri për qytetarët e Kosovës e jo me fonde të tilla që janë edhe më herët dhe që nuk janë treguar të suksesshme.

Periskopi: Si e vlerësoni  Qeverinë Kurti dhe punën e tij deri më tani?

Agim Veliu: Qeveria e Kurti dhe puna e Kurtit po shihet, ai ka dhënë premtime pa mbulesë, deri tash nuk ka ndonjë realizim, po shihet që qytetarët në ato zgjedhje janë të mashtruar sepse asnjë premtim të madh që ka dhënë deri më tani nuk i ka realizuar.

Periskopi: Pro/kundër martesave me gjini të njëjtë?

Agim Veliu: Do të shoh edhe qëndrimin e grupit, por sigurisht unë do ta mbajë një qëndrim tim të pandikuar./Besarta Hoti/Periskopi 

 

 

 

Shpërndaje në: