Inzaghi: Respekt ndaj Realit, na duhet ndeshje perfekte për të fituar

Inzaghi: Respekt ndaj Realit, na duhet ndeshje perfekte për të fituar

Respekt për Real Madridin, jo frikë. Simone Inzaghi, në debutimin e tij në Ligën e Kampionëve me Interin, ka treguar se ka ide të qarta. Zikaltrit, të mbështetur nga tifozët e tyre, duhet të përpiqen të luajnë një ndeshje ofensive dhe të kërkojnë golin. Në konferencën për shtyp, trajneri i kampionëve italianë shpërndau optimizëm.

Inzaghi, a mendoni se humbja e dyfishtë kundër Realit, vitin e kaluar, po në fazën e grupeve, mund të ndikojë te lojtarët tuaj?
Ajo që ka ndodhur, ka ndodhur, përfshirë sfidën e dyfishtë të sezonit të kaluar kundër Realit. Ne kemi një mundësi të shkëlqyeshme për të shkruar një faqe të rëndësishme të së tashmes. Nuk do të jetë një grup i lehtë, por ne duam të kualifikohemi.

Interi ka ardhur tri vite radhazi që nuk kalon dot përtej fazës së grupeve. Çfarë iu thatë lojtarëve tuaj për t’i bindur se përfundimi do të jetë ndryshe këtë herë?
Përvoja në lojëra të tilla është shumë e rëndësishme. Ne e dimë që nga dita e shortit se grupi nuk është i lehtë, sepse, përveç Realit, do të jenë dy skuadra që do të bëjnë gjithçka për të na vënë në vështirësi. Ne kemi edhe dy seanca stërvitore për t’u përgatitur më mirë për një ndeshje të pabesë, kundër një ekipi me traditë të madhe, me një trajner të madh dhe lojtarë të mëdhenj.

E imagjinoni ndeshjen e nesërme si Sampdoria-Inter apo do t’i prisni kundërshtarët?
Është normale që e diela të konsiderohet një dështim, por ne luajtëm 20 minutat e fundit me një lojtar më pak. Ndeshjet vendosen në fazën finale dhe në këtë kuptim jemi penalizuar. Reali driblon mirë me Modric, por gjithashtu ka thellësi në sulm. Ne do të duhet të mbulojmë hapësirat, por gjithashtu ta mbajmë topin dhe t’i bëjmë ato të vrapojnë kur është e mundur.

Shpërndaje në: