IPK nis hetimet pas vrasjes në Batllavë

IPK nis hetimet pas vrasjes në Batllavë

Mëngjesin e së hënës u vra Gazmend Brahimi, 41-vjeçar, në fshatin Batllavë të Podujevës, rrugës duke shkuar në punë. I dyshuari kryesor i kësaj vrasjeje është kushëriri i viktimës, Baki Brahimi, 47-vjeçar, i cili ndodhet në paraburgim.

Por, viktima dhe i dyshuari, kanë pasur probleme mes vete edhe një ditë para vrasjes. Sipas policisë, i dyshuari kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të shtëpisë së viktimës, një ditë para se ta vriste.

Por, i dyshuari nuk ishte arrestuar atë ditë pasi sipas raportit 24-orësh të policisë kishte qenë në arrati. E për këtë, Inspektorati Policor i Kosovës, (IPK), ka nisur hetimet.

IPK njofton se lidhur me këtë rast është në fazën e grumbullimit të informacioneve.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës  respektivisht Departamenti i Hetimeve sipas detyrës zyrtare ka filluar grumbullimin e informatave sipas detyrës zyrtare rreth incidentit në fjalë”, thuhet në përgjigjen e IPK-së dhënë Gazetës Express.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ia ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit Baki Brahimi, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën “Vrasje e rëndë”, ndaj djalit të axhës së tij Gazmend Brahimi.

I pandehuri Baki Brahimi, dyshohet nga Prokuroria se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.

Baki Brahimi dyshohet se fillimisht e ka goditur me furgonin e tij tashmë të ndjerin e më pas me armë zjarri.

Sipas të afërmve të viktimës dhe dorasit, dyshja kishin pasur vazhdimisht probleme.

Shpërndaje në: