Irani dënon me vdekje e burgim një grup që thotë se spiunonin për CIA-n

Irani dënon me vdekje e burgim një grup që thotë se spiunonin për CIA-n

Irani thotë se ka arrestuar 17 spiunë që sipas tij punonin për CIA-n dhe se ka dënuar disa prej tyre me vdekje.

Zyrtarët iranianë thanë se të dyshuarit kishin mbledhur informacione për sektorë të rëndësishëm, përfshirë në fushat e aktivitetit ushtarak dhe bërthamor.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka hedhur poshtë pretendimet duke thënë se raporti është totalisht i rremë.

Tensionet janë përshkallëzuar javët e fundit mes Uashingtonit dhe Teheranit. Presidenti Trump, vitin e kaluar, braktisi marrëveshjen ndërkombëtare bërthamore me Iranin dhe ktheu sanksionet ekonomike mbi vendin islamik.

Irani ndërkohë e bëri njoftimin e të hënës në median shtetërore dhe tha se spiunët janë arrestuar para marsit 2019. Të premten, Irani konfiskoi një cisternë me flamur britanik në ngushticën strategjike të Hormuzit.

Muajin e kaluar po ashtu Irani rrëzoi një dron mbikëqyrës amerikane mbi ngushticë duke thënë se ai kish shkelur hapësirën ajrore iraniane.

Por, ushtria amerikane tha se droni ishte mbi ujëra ndërkombëtarë dhe dënoi sulmin e paprovokuar. SHBA ka akuzuar Iranin për dy sulme të ndara mbi cisternat e naftës në gjirin e Omanit, në maj dhe qershor, akuza që teherani i ka mohuar./Tch

Shpërndaje në: