Isa Mustafa: Deklaratat për fusnotë, Kurti i bënte që t’i mashtronte analfabetët funksionalë

Periskopi.com Lajme

Përkundër kundërshtimeve të ashpra të dikurshme, kryeministri i Kosovës nuk refuzoi ta prezantonte Kosovën me fusnotë në mbledhjen e Këshillit të Stabilizim-Asocimit mes BE-së dhe Kosovës.

Për një gjë të tillë, z. Isa Mustafa – ish kryeministër – ka qenë i ashpër me kryeministrin aktual.

Ai thotë se e ka kundërshtuar fusnotën si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Publikisht s’jam pajtuar me fusnotën. Kjo ka qenë shkas që përfaqësues të caktuar diplomatikë në atë kohë të më cilësonin se unë dhe LDK kishim qëndrime anti-amerikane dhe anti-evropiane. Por, si kryeministër i kam respektuar marrëveshjet e shtetit tim,” – u shpreh z. Mustafa, duke i rikujtuar opinionit episode të harruara nga jeta e tij politike.

“Zoti Kurti e ka kundërshtuar fusnotën dhe e ka shpallur akt të tradhtisë [kombëtare]. Deklarata të tilla dhe etiketime nga ana e tij janë të shumta, tipike, folklorike e të destinuara për “analfabetët funksionalë” nga programi i tij politik. Tani ai nuk ia sheh për të madhe vetes së tij që ulet me mbishkrimin e Kosovës me fusnotë para tij…” – vazhdoi fjalën e tij profesori i nderuar për Lajmin, përcjell Periskopi.

Ai ka thënë se nëse dikush ka besuar që Kurti si kryeministër nuk do ta respektonte fusnotën, atëherë ka jetuar në iluzione.

“Kurti ka luftuar për pushtet, jo për parime. Shihet qartë se z. Kurti po i pëlqen më shumë pushteti se sa dekalratat dhe qëndrimet që i ka demonstruar si opozitar,” vazhdoi Mustafa në deklarimin e tij.