Isa Mustafa sfidon hapur Vjosa Osmanin: Hajt provoni ta bëni atë që e kam bërë unë me Serbinë

Periskopi.com Lajme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së djeshme në një debat televiziv e sulmoi rëndë ish shefin e saj të partisë, Isa Mustafën, për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe. Këtyre akuzave u është përgjigjur vet ky i fundit.

Në intervistën e transmetuar në Kanal10, pasi citoi një këngë të këngëtares Dafina Zeqiri, Vjosa Osmani u shpreh se ish kryeministri Isa Mustafa me akterët e tjerë të asaj kohe duke nënshkruar marrëveshjen e Asociacionit “kanë rrezikuar raportet me miqtë ndërkombëtarë”.

Në një prononcim për Lajmin, Mustafa është shprehur se “punët e shtetit nuk bëhen ashtu siç i komenton Osmani.”

“Nuk bëhen punët e shtetit ashtu siç i komenton znj. Osmani. Dokumenti që unë e kam nënshkruar në vitin 2015 dhe kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Vuçiq, njeh si arbitër kryesor Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për çështje të Asociacionit. Këtë rol nuk e njeh marrëveshja e parë e ratifikuar në Kuvend. Prandaj punët e shtetit nuk bëhen në logjikën hajt se ndoshta… Ky është interpretim rruge dhe s’duhet të jetë i një individi që rastësisht është president”, ka thënë Mustafa.

Madje ai ka sfiduar të paren e shtetit që ta provojë nëse Serbia do ta nënshkruante një dokument ku e pranon rolin e Gjykatës Kushtetuese.“Unë i them Vjosës, hajt provone edhe një herë, nëse Serbia e pranon rolin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe e nënshkruan një dokument të tillë apo tjetër”, ka thënë Mustafa.