Ish-ambasadori amerikan në 2015: Nga vendimi i Gjykatës kuptohet se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës

Ish-ambasadori amerikan në 2015: Nga vendimi i Gjykatës kuptohet se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës

Ditë më parë nga Qeveria e Serbisë pati deklarata rreth Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, ku thuhej se do të filloj ky proces, për të cilin në vitin 2015 Gjykata Kushtetuese kishte thënë që parimet e përgjithshme, nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetueses, duke e bazuar këtë në nenin  3 të saj dhe me të drejtat e komuniteteve në Kushtetutën e Kosovës, shkruan Periskopi

“(Gjykata Kushtetuese) konstaton që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti që implementon Parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 [paragrafi 1, me Kapitullin II dhe III, duhet të plotësojnë standardet kushtetuese dhe duhet të jenë në pajtueshmëri posaçërisht me nenet 3, 7, 12, me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore], me nenet 21 dhe 44, me Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre” , thuhej në vendimin e GJK-së.

E për vendimin e Kushtetueses, ish-ambasadori amerikan në Kosovë,  Greg Delawie kishte thënë se sipas vendimit të Gjykatës të kesh Asociacion të komunave me shumicë serbe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Sa i përket vendimit të Gjykatës: e kemi lexuar aktgjykimin me shumë vëmendje. Ishte i gjatë dhe ligjor dhe çka e kam kuptuar nga vendimi i Gjykatës është se të kesh Asociacion të komunave me shumicë serbe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Gjykata i ka dhënë qeverisë udhëzime specifike se si mund të hartohet statuti për këtë Asociacion në mënyrë që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe aty po ashtu thuhet se duan ta shohin statutin kur të hartohet. Pra, po dëgjoj se njerëzit po thonë që Gjykata ka thënë se kjo ide nuk është në përputhje me Kushtetutën, por mendoj se nëse e lexoni me vëmendje e shihni se Gjykata thotë se (a) një organ i tillë mund të krijohet, dhe (b) kjo është mënyra se si e krijoni në mënyrë që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, kishte thën Delaëie në një intervistë të dhënë për Zërin në vitin 2015.

Kujtojmë se ishte drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cila tha se përfaqësuesit e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës do të fillojnë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Serbët nuk kanë çfarë të presin. Nëse ata mund të sillen si të duan, atëherë është normale që serbët të nisin krijimin e Asociacionit. Kanë kaluar dhjetë vjet dhe ata duhet të sigurojnë të drejtat e tyre”, kishte thënë ai.

Ndërsa dje i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe të krijojë “shtet brenda shtetit”.

“Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, tha dje Escobar.

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit në vitin 2013 të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë./PERISKOPI

 

 

Shpërndaje në: