Ish-deputeti i PDK-së i përgjigjet Mimoza Kusarit për arkivin: Hapni çka të doni, gjeni çka të doni

Ish-deputeti i PDK-së i përgjigjet Mimoza Kusarit për arkivin: Hapni çka të doni, gjeni çka të doni

Ish-deputeti i PDK’së, Gazmend Bytyqi, i ka reaguar deputetes Mimoza Kusari-Lila, e cila i doli në mbrojtje zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, lidhur me deklaratën e tij për arkivat e UÇK’së, duke cituar një nen të projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të UÇK’së, ligj i cili nuk mori votat e nevojshme për miratim në Kuvend.

Bytyqi ka thënë se UÇK’ja s’ka pasur akrivë, derisa ka sqaruar se me fjalën “arkiv” në këtë ligj, “nënkuptohet çfarëdo dokumenti, ose relikti historik, që mund të bëhet bashkë, në kuptimin e ruajtjes së një epoke të lavdishme.”

“Mund edhe të ketë, aty-këtu, ndonjë raport të ushqimeve, ushtarëve ose armatimeve, që patëm një ditë të caktuar në fushëbetejë, që ka bërë ndonjë përgjegjës, por as këto nuk janë sekrete. I ke në rrëfimet që janë thënë, në dokumentarët që janë bërë, ose në librat që janë shkruar pas lufte, madje edhe më shumë se aq”, ka shkruar Bytyqi.

Tutje, Bytyqi ka thënë se nuk po e kupton se si deputëtët që se miratuan këtë ligj, marrin të drejtën dhe guximin që ta “shesin UÇK’në tek ish-pushtuesi ynë”.

“E nderuara deputete dhe qeveri e Kosovës! Ne, edhe ndoshta nuk mund t’ju ndalim në këtë mënyrë të realizoni qëllimet tuaja të liga në shkatërrimin e plotë të vlerave të luftës, me politikën injorante dhe të dobët që po bëni, por, aman, mos na hidhni hi syve, vetëm bëjeni atë për të cilën jeni nisur. Hapni çfarëdo që gjeni, mos u ndalni, shkelni kudo që mundeni, siç po bëni, por mos harroni se UÇK-ja ishte edhe juaja, po aq sa jona, që e krijuam dhe luftuam për të. Ajo ju solli këtu, edhe pse nuk e deshët kurrë dhe vazhdoni të mos e doni dhe të mos e vlerësoni”, ka shkruar Bytyqi./Gazeta Express

Postimi i plotë i tij:

SA LARG SHKON INJORANCA DHE DËMI I KËSAJ QEVERIE

Në tentim për ta mbrojtur qeverinë Kurti rreth gafës së arkivave të UÇK-së, Deputetja Kusari paska cituar një nen të projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të UÇK-së (të cilin nuk lejuan të miratohej vetë këta), madje duke treguar edhe një herë se kryekëput janë lëshuar në luftë frontale ndaj UÇK-së. Si iniciues i këtij projektligji në mandatin e kaluar, e ndiej të nevojshme t’i përgjigjem deputetes në fjalë.

E nderuara deputete!

1. Të gjithë deputetët që s’e kanë votuar këtë ligj dhe as kanë dashur ta kuptojnë që UÇK-ja nuk ka dhe nuk ka pasur arkiva sekretë, siç po pretendohet sot, tani janë të zëshëm në sulmet ndaj UÇK-së. Pra, nuk je e para e as e fundit.

2. Me fjalën “arkiv” në ligjin, që nuk lejuat ju vetë të miratohej, nënkuptohet çfarëdo dokumenti, ose relikti historik, që mund të bëhet bashkë, në kuptimin e ruajtjes së një epoke të lavdishme. Mund të jetë një urdhër transferimi për një të plagosur, që nuk ia doli, ose, thjesht, një emblemë e një dëshmori. Pra, një arkiv që do të ishte i hapur në kuadër të muzeut historik të luftës së UÇK-së.

3. Mund edhe të ketë, aty-këtu, ndonjë raport të ushqimeve, ushtarëve ose armatimeve, që patëm një ditë të caktuar në fushëbetejë, që ka bërë ndonjë përgjegjës, por as këto nuk janë sekrete. I ke në rrëfimet që janë thënë, në dokumentarët që janë bërë, ose në librat që janë shkruar pas lufte, madje edhe më shumë se aq.

4. Nuk e kuptoj se si këta deputetë që nuk e miratuan këtë ligj për vlerat e luftës dhe kjo qeveri, që në programin e saj qeverisës nuk e ka të shkruar askund, në asnjë rresht fjalën UÇK, marrin të drejtën dhe guximin të bëjnë biznes politik me UÇK-në, ose, thënë më drejt, ta shesin atë tek ish-pushtuesi ynë. Po, po, e lexuat mirë, ky akt është shitje, madje shitje e shpirtit tonë kombëtar dhe shumë lirë bile.

5. E nderuara deputete dhe qeveri e Kosovës! Ne, edhe ndoshta nuk mund t’ju ndalim në këtë mënyrë të realizoni qëllimet tuaja të liga në shkatërrimin e plotë të vlerave të luftës, me politikën injorante dhe të dobët që po bëni, por, aman, mos na hidhni hi syve, vetëm bëjeni atë për të cilën jeni nisur. Hapni çfarëdo që gjeni, mos u ndalni, shkelni kudo që mundeni, siç po bëni, por mos harroni se UÇK-ja ishte edhe juaja, po aq sa jona, që e krijuam dhe luftuam për të. Ajo ju solli këtu, edhe pse nuk e deshët kurrë dhe vazhdoni të mos e doni dhe të mos e vlerësoni.

6. P.S. Para se të hapni ato që keni për armikun, hapni njëherë për popullin dhe votuesit tuaj, tregojuni atyre se çfarë po shisni, që ta shohin të gjithë. Tregojuni të gjithëve se çfarë arkivi shtetëror paskemi ne për UÇK-në, se nuk e kuptoi kush… apo, Zoti mos e bëftë, keni menduar që në kërkim të këtyre arkivave inekzistente, hetues të huaj, ose edhe serbë, t’i rrasin duart në AKI?

Kaq për këtë herë. Ndoshta në të ardhmen bëheni më të sinqertë dhe nuk citoni ato që nuk i dini, nuk i doni dhe nuk i kuptoni.

Shpërndaje në: