Ish-inspektori në AKI: Personit që raportohet se do t’i bënte atentatin Kurtit iu bënë bastisje, por nuk iu gjet snajper

Ish-inspektori në AKI: Personit që raportohet se do t’i bënte atentatin Kurtit iu bënë bastisje, por nuk iu gjet snajper

Ish-inspektori i përgjithshëm në AKI Shkëlzen Sopjani thotë se informacioni për atentat ndaj Albin Kurtit nuk është i ri.

Sopjani thotë se një informacion i tillë ka qenë publik edhe vitin e kaluar.

“Kryeministri kishte rritur masat e sigurisë. Kjo gjë ishte bërë publike edhe në media”.

Ai thotë se personi që është përfolur se do të kryejë atentatin nuk ishte i profilit të lartë dhe dyshon se do të kishte mundësi për kryerje të atentatit.

“Personi i tillë nuk është as në paraburgim e as që janë marrë veprime ndaj tij. Personit në fjalë i janë bërë bastisje dhe në bazë të informatave nuk është se i është gjetur snajper. Atij i është gjendur vetëm një pushkë gjuetie”, tha ai në RTV Dukagjini

Autoritetet e sigurisë kanë marrë disa masa të mira duke shtuar sigurinë e kryeministrit dhe ka mbaruar me kaq.

“Po të ishte diçka më serioze do të kishte më shumë veprime nga prokuroria, drejtësia e kështu me radhë. Kjo temë nuk do të duhej bërë shumë mediatike për vet faktin se është ngjarje e vitit të kaluar. Por ky informacion që ka rrjedhë pas sulmit të hakerëve e risolli vëmendjen”.

Ndryshe të hënën e 19 shtatorit, mediumi shqiptar A2 neës, ka raportuar se ka ekzistuar një plan për vrasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti.

Sipas këtij mediumi, kjo është bërë e ditur nga një dokument i cili është bërë publik të hënën nga disa hakerë, të cilët dyshohet se këto dokumente i kanë marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano.

“Në vitin 2021, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka zbuluar një plan për të vrarë kryeministrin Albin Kurti dhe dy persona të tjerë nga një shtetas nga Shqipëria. Të paktën, kështu rezulton në një dokument të bërë publik këtë të hënë, nga hakerët, i cili dyshohet se është marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano”.

“Në dokument theksohet se Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka marrë informacione për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe i afërm i Kadri Veselit, dhe ndaj Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet”, thuhet në raportimin e A2 neës.

I dyshuari, është Prek Kodra, i cili sipas raportimit të këtij mediumi, ka aftësi të mirë në përdorimin e snajperëve. Ai dyshohet se është përfshirë në disa vrasje të tjera në Kosovë e Mal të Zi.

“I dyshuari është Prek Kodra, shtetas shqiptar. Në dokument theksohet se ai ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve. Ai dyshohet se është përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi. Ndërkohë, Kodra dyshohet se jeton në Shkodër, ndërsa vepron në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës”, thuhet në postimin e A2 neës.

Sipas Policisë Shqiptare, ky person është me precedent penal dhe është hetuar për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut. Ai u shpall në kërkim në vitin 2016, ndërsa pas kontrolleve në banesë iu gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë. Në shtator të vitit të kaluar u pezullua urdhri i kërkimit, ndërsa konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë.

Sipas raportimit fillimisht ishte planifikuar vrasja e Ismet Haxhës, pas një muaji, ishte planifikuar të vritej edhe Xhavit Haliti, dhe pastaj kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Sipas informacione të Njësisë Kundër Terrorizmit, objektivi i parë do të ishte Ismet Haxha. Objektivi i dytë ishte Xhavit Haliti, i cili do të vritej një muaj pas Haxhës për t’u dukur si hakmarrje. Më pas, do të vritej edhe kryeministri Albin Kurti”.

Sipas informacioneve, qëllimi i këtyre atentateve është destabilizimi i Kosovës.

Po ashtu, në dokument theksohet se të tre atentatet do të kryheshin në katër muajt e ardhshëm.

Shpërndaje në: