Ish-presidenti Fatmir Sejdiu për Periskopin: Një këshillë për Kurtin, se si të veprojë në këto 30 ditë

Ish-presidenti Fatmir Sejdiu për Periskopin: Një këshillë për Kurtin, se si të veprojë në këto 30 ditë

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një bisedë më Periskopin, komenton zhvillimet e fundit në vendin tonë, si kjo me reciprocitetin në targa e dokumente me Serbinë. Për ish-presidentin Sejdiu, Kosova duhët të ketë kujdes në ecjet e saj dhe të gjitha lëvizjet t’i bëj në koordinim me BE-në dhe ShBA-të.

Ai ka një sugjerim për institucionet e Kosovës (Qeverinë Kurti v.j), që në këto 30 ditë – deri më 1 shtator, kur edhe është afati kur zbatohet vendimi i reciprocitetit, të punojë që të sigurohet ‘në uljen e tensioneve’.

“Unë mendoj që pikërisht ndërhyrja  në këtë proces për të ndihmuar shtendosjen ecën me pjesën e angazhimit. Nuk është ndërhyrja e cila e shtyn afatin thjeshtë të  komunikimeve në 30 ditë por është e nevojshme që të investohet në këto ditë që të gjendet rruga ma e mirë për të kapërcyer edhe atë që ishte krijuar, e që në realitet nuk do të duhej të ishte tension me lëvizje çfarë ishin gjuajtje armësh dhe forma të tjera me rekrutim të njerëzve që janë të gatshëm të bëjnë gjithmonë bela”, i tha ish-presidenti Sejdiu, Periskopit.

Lidhur me vendimin e qeverisë për masa të reciprocitetit (targa dhe dokumente), ish-presidenti Sejdiu thotë se Kosova është në të drejtën e saj, por thotë se ‘është Serbia ajo që dëshiron tensione” duke nënkuptuar që Kosova duhet t’i shmanget kësaj situate.

“Unë duhet të theksoj diçka tjetër ka gjendje jashtëzakonisht të ndjeshme për Kosovën dhe flas edhe përtej saj dhe e drejtë e ekskluzive e saj është të merr  vendime legjitime të saja që ka të bëjë edhe  me këto proces, reciprocitetit a po edhe në tema në materie të ndryshme dhe paralelisht unë them se Kosovën e kemi bërë të pavarur krahas asaj rezistencës që është bërë dhe gjithë luftës së armatosur dhe miqve. Unë nuk mendoj se disa nga vendet që kanë qenë partner të vazhdueshme të Kosovës kanë hequr dorë nga qasja e sinqertë për të mbrojtur Kosovën edhe në situata të tilla pra edhe në zhvillimet tona të përgjithshme. Prandaj mendoj që ai angazhim që të ketë një shtendosje  në tensionin e krijuar sepse Serbia  dëshiron tensione, dëshiron të krijoj alibi për veprimet e saja të vazhdueshme që i ka tash e 20 vjet, të krijoj thjesht një tablo të rrejshme për Kosovën si ngucakeqe në raportet e të dy vendeve për Kosovën për të cilën  dëshiron destabilizimin e rajonit, që dëshiron thjesht përmes intrigave të saj të bëjë një yshtje kundër popullsisë serbe në veri”, tha Sejdiu për Periskopin.

Ish-presidenti Sejdiu, beson se ‘qëllimi i çdo qeverie të vendit’ është të bëj ecje graduale e të sigurt bashkë me partnerët ndëkombëtar.

“Unë mendoj që qëllimi i çdo qeverie të vendit është që të  shkoj ecje graduale të sigurt, natyrisht duke bërë përgatitej të mira për të realizuar, thjesht atë që është e rëndësishme për vendin, për qytetarët e vendit pra edhe për komunitetin serbë, një stabilitet të jetës së tyre dhe një ta quajmë shtrirje të plotë të sovranitetit, flas efektiv sepse ajo pjesë natyrisht është e mbrojtur në kuptimin e integritetit dhe nga forcat ndërkombëtare është fjalë për KFOR-in dhe paralelisht të bëjë politika të bashkëpunimit të thellë me partnerët e saj. Nuk mendoj se mund të jetë e matur që të ketë lëvizje nga një pozitë dhe nga një qasje e partneritetit dhe bashkëpunimit miqësor të hershëm sidomos me ShBA që nga koha e rezistencës po flas sepse një nga frontet e para që unë do të thoja në vitet e 90 që të sigurohen miq për  Kosovën, që e vërteta për Kosovën të plasohet me të vërtetën dhe që të kemi një miqësi  e cila duhet të zgjatë, dhe jo një miqësi që të  shërbej për të kapërcyer lumin siç thotë populli nganjëherë, po për të mbajtur thjesht të koncentruar  ecjen e përbashkët dhe strategjitë e përbashkëta”, tha Sejdiu, përcjell Periskopi.

Ish-presidenti Sejdiu, duke komentuar tablonë e sigurisë globale, sidomos pas luftës në Ukrainë, thotë se Kosova mëton të bëj lëvizje edhe më të shpejta drejt NATO-s.

“Mos të harrojmë edhe një diçka, që Kosova mëton të jetë anëtare e miqve ndërkombëtar pra edhe partneritet tash me NATO dhe një lëvizje mbase edhe më të shpejt drejt anëtarësimit të saj në këtë mekanizëm kaq të rëndësishëm, në këtë kohë po ashtu tepër- tepër të ndjeshme që është për botën”, tha Sejdiu për Periskopin.

“Nuk është larg nga vendi por është problem edhe i tensioneve tjera paralele që janë ngritë dhe po ngriten që janë përpjekë dhe po përpjekën për të krijuar një sistem a po një botë të re në kuptimin e rreshtimeve politike ushtarake dhe ata që i fryjnë kësaj ideje sidomos ata që e kanë nxitë konflikte sidomos është fjala për federatën ruse dhe shohim me Serbinë që nuk është  një partnere e sigurt edhe e perëndimit.  Dëshiron të gjej vatra të reja të konflikteve për të arsyetuar thjesht atë hyjninë e tyre duke fajësuar të tjerët. Prandaj duhet të kemi kujdes të mos hiqet dorë nga ajo që është e jona por të shkohet në procese normale dhe në kuptimin e arritjes së marrëveshjeve ndërkombëtare që janë të fuqishme, në kuptimin ligjor dhe që janë në interesat e vendit”, tha Fatmir Sejdiu./Intervista: Besarta Hoti/Periskopi

Shpërndaje në: