Ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë: Nuk kemi dokument zyrtar që tregon se Agon Musliu kishte sëmundje

Ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë: Nuk kemi dokument zyrtar që tregon se Agon Musliu kishte sëmundje

Ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi ka theksuar se zyrtarisht nuk kanë pasur dokument të dorëzuar, i cili vërteton praninë e ndonjë sëmundjeje tek i riu Agon Musliu që vdiq derisa ishte në karantinë pas kthimit nga Gjermania.

Ai gjatë raportimit në cilësinë e dëshmitarit në Komisionin Hetimor në lidhje me menaxhimin e pandemisë, theksoi se në shkresat që ka qenë edhe ai i përfshirë nuk ka parë asnjëherë një dokument shëndetësor, i cili do të vërtetonte sëmundjen e 26-vjeçarit nga Gjilani.

Për këtë Bardiqi tha se ka kërkuar një raport nga komuna e Fushë-Kosovës, pasi në ditën kur ai ka arritur në aeroport ka qenë ekipi i QKMF-së nga kjo komunë.

“Doktoresha, e cila ka qenë përgjegjëse dhe i ka rastisur që të ndjerin ta pranojë, ka bërë deklaratën me shkrim dhe ka treguar se as asaj ndonjë dokument i cili do të vërtetonte ekzistencën e ndonjë sëmundje të të ndjerit nuk ka pasur. Për vërtetimin i cili më vonë ka dalë në media, nuk e di sa kam të drejtë të them tani, dhe për shkak të etikës profesionale nuk mund të shpalos të dhëna”.

Sekretari i suspenduar i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, tha se nga Ambasada e Kosovës në Berlin, në listat e personave që janë dërguar për karantinim, është pohuar se Musliu ka qenë i sëmurë.

“Kanë ardhur lista me tabela ku ne paraprakisht i kemi njoftuar lidhur me kriteret se cilët janë ata qytetarë, të cilët nuk duhet t’i nënshtrohen karantinës, në mënyrë që të vijnë ata në fillim, sepse edhe resurset për karantinën, diku 10 për qind të krejt kapaciteteve kemi mundur t’i përdorim ose maksimum 15 për qind të Qendrës së Studentëve. Ka qenë një shkresë në këtë rast në formë tabelare, në të cilën Ambasada e Kosovës në Berlin ka shkruar të gjithë qytetarët, të cilët do të kthehen në datën e caktuar. Dhe që për rastin në fjalë të cilin e përmendet në njërën nga rubrikat vërejtje, ka pohuar të ketë një sëmundje dhe posedon dokumentin me vete”.

Bardiqi nuk ka dhënë sqarime specifike sa i përket blerjeve të shtrenjta të mjeteve mbrojtëse gjatë kohës së pandemisë.

Për këtë anëtari i Komisionit Hetimor nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu tha se ministria ka nënshkruar kontrata për maska e dorëza me çmime tejet të shtrenjta.

Ndryshe, Agon Musliu humbi jetën më 3 maj pasi dyshohet se u hodh nga kati i pestë i konviktit numër 7.

Musliu nuk arriti t’iu mbijetojë plagëve të marra dhe vdiq me të arritur në Qendrën Emergjente, pavarësisht që mjekët kujdestarë tentuan ta mbanin në jetë përmes reaminacionit.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 25 mijë euro për familjen e Agon Musliut, të riut që humbi jetën në Qendrën e Studentëve sa ishte në karantinë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Shëndetësisë kishin bërë të ditur asokohe se në tri hallkat e rregullta të raportimit dhe kontrollit mjekësor s’ka pasur dokumente që do të alarmonin gjendjen e ndjeshme të të ndjerit, Agon Musliu

Shpërndaje në: