Ish-zëdhënësi i VV-së i çon 10 pyetje Albin Kurtit: A je i befasuar me policin majmun, a vlen më emri Vetëvendosje?

Ish-zëdhënësi i VV-së i çon 10 pyetje Albin Kurtit: A je i befasuar me policin majmun, a vlen më emri Vetëvendosje?

Kryeministri Albin Kurti për më shumë se dhjetë vite ka qenë kundërshtar i pakompromis i negociatave me Serbinë, por tani sikurse edhe në shumë tema të tjera ka filluar të ndryshojë qëndrim.

Ish’zëdhënësi i Vetëvendosjes, Shkodran Hoti, në një postim të tijin në Facebook, i është drejtuar kryeministrit Kurti me dhjetë pyetje, e në mesin e të cilave, është edhe ajo, nëse ka kuptim ende emri ‘Vetëvendosje!’, sipas tij, për faktin se tani kjo parti kërkon ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar.

Ai përveç tjerash ka pyetur Kurtin, pse nuk po dialogon me serbët lokal, ashtu siç thoshte se duhet bërë, në kohën sa ishte në opozitë.

Më poshtë reagimi i plotë i Hotit, me 10 pyetjet e tij drejtuar kryeministrit Kurti:

Albin Kurti ka kohë që iu ka vendosur barrikada mediave, të cilat i mbron me ushtrinë e tij virtuale, por nëse ndonjë ditë i heq ato, duhet t’i bëhen këto 10 pyetje:

1. Pas kapërcimit nga “Jo negociata, Vetëvendosje!” në “negociata me kushte” e “dialog me serbët e Kosovës”, pse nuk kemi të paktën dialog me serbët e Kosovës? Apo ky format i dialogut është shndërruar në dialog mes barrikadave të këtyre serbëve dhe policisë së Kosovës?

2. A është i befasuar me “policin majmun” që përveç mbajtjes së rendit në sheshet e Prishtinës, mban rendin edhe në pikat kufitare të vendit tonë?

3. A vlen emri Vetëvendosje! për një parti, pasi që lideri i saj kërkon ndërhyrjen e ndërkombëtarëve në çështje të brendshme të shtetit, gjë që e kundërshtoi për një dekadë?

4. A është më i guximshëm Isa Mustafa që e shkarkoi ministrin Aleksandër Jabllanoviq apo ai që përveç se nuk po e shkarkon ministrin Goran Rakiq, po i veshë atij petk heroik?

5. A më problematik është për zoti Kurtin një ministër si Agim Veliu që “flirton” me Hashim Thaçin, apo një ministër si Goran Rakiq që bashkëpunon e merr direktiva me/nga Aleksandër Vuçiq?

6. A mund të bashkohet Mitrovica duke ia imponuar qytetarëve të saj ta zgjedhin një analfabet për udhëheqës?

7. A i sjell përfitime më shumë Kosovës mbulimi i targave të veturave të qytetarëve nga Serbia apo reciprociteti ekonomik me këtë shtet? Ose thënë më troç, a po hahen më pak plazma keksat prej se po iu mbulohen targat e veturave shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit?

8. Meqë policët i ka dërguar në Veri, kurse vetë dje ishte në Gjakovë për ta përkrahur kandidaturën e Mimoza Kusarit, a është konsultuar me të për dërgimin e forcave policore në Veri, pasi që zonja Kusari kishte deklaruar muaj më parë se më mirë serbëve në Veri t’iu paguhet rryma sesa të dërgohen në atë pjesë të vendit forca policore e të kthehen policë me arkivole?

9. Pasi i ka identifikuar dy organizatorët e protestave në Jarinjë, nga kush po e pret arrestimin e tyre? A duhet që Vladislav Dajković dhe Igor Braunović të marrin pjesë në aksione të PSD’së për t’i arrestuar apo si është puna?

10. A me lehtë e kishte zoti Kurti si opozitar t’i shpallte pushtetarët “tradhtarë të kombit”, apo tani si pushtetar t’i presë në zyrë këta “tradhtarë” që i shkuan për t’i ofruar mbështetje dhe me kërkesën për unitet shtetëror pas situatës në Veri?

Shpërndaje në: