Ish-zëvendësministri i Qeverisë Kurti: Organizata studentore e VV-së mësynë kapjen e Këshillit Drejtues në UP

Periskopi.com Lajme

Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka zgjedhur sot anëtarët e Këshillit Drejtues të universitetit. Selim Bezeraj, Rifat Krasniqi, Azem Hajdari, Arian Krasniqi dhe Naser Kabashi morën votat në rundin e tretë të votimit për anëtarë të KD-së.

Para se të fillonte mbledhja e senatit, në hyrje të Rektoratit kishte tensione nga ana e përfaqësuesve të studentëve që kanë qenë deri tani.

Njohësi i sektorit të arsimit, që ishte edhe zëvendësministër në Qeverinë Kurti I, Jusuf Thaçi ka kritikuar organizatën studentore të VV-së, SKV (Studim, Kritikë, Veprim), duke thënë se ia ka mësyrë që të kapë Këshillin Drejtues të UP-së.

“Meqë organizata studentore e LVV-së brenda Universitetit të Prishtinës (SKV, pra LVV) ia paska msy me kapë Këshillin Drejtues (KD) të UP-së, së paku do të duhej që këtë kapje ta bënte duke votuar njerëz dinjitozë për KD të UP-së, e jo me shpërfaqë aq brutalisht epshin për pushtet duke zgjedhur në organin më të lartë drejtues të UP-së njerëz që akuzohen për plagjiaturë e njerëz që nuk kanë kurrfarë vlere profesionale, shkencore e akademik”, ka shkruar ai.

“Mjerim!”, e ka quajtur Thaçi procesin e sotshëm zgjedhor.

Thaçi është shprehur i dorëzuar nga mundësia që arsimi në Kosovë të përmirësohet ndonjëherë. Thotë se i ka çuar duart dhe ka risjell një fjalë të vjetër si metaforë për situatën.

“P.S.: Personalisht moti i kam qu duart dhe nuk shpresoj që arsimi në Kosovë do të përmirësohet ndonjëherë, ama atyre që ende kanë shpresë desha t’ua kujtoj një thanje t’pleqve që thotë: “Hirra bylmet e shqiptari shtet nuk ban kurrë!”. Koha po ju jep të drejtë pleqve!”, ka shkruar ai.

Një reagim të mëhershëm e pati edhe udhëheqësi i organizatës ORCA, Rron GJinovci, i cili anëtarin e ri të KD-së në UP, Selim Bezeraj e ka quajtur plagjiator.

“Me ma së shumti vota të mbledhuna në Senat të UP-së, plagjiatori Selim Bezeraj me 23 vota zgjedhet anëtar i Këshillit Drejtues. I dyti mbas tij me 20 vota, anëtari i ri i Lëvizjes Vetëvendosje, i njohuri nga skeqi i stupcave Rifat Krasniqi. Urime organizatës së VV-së në universitet SKV-së e cila në koalicion me organizatën e Arian Janovës patën 7 senatorë studentë! Urime Ministres Nagavci këtë përparim në Arsimin e Lartë! Urime Kryeministrit fillimin e kapjes së institucioneve arsimore!”, ka shkruar Gjinovci. /Express/