Ishte komandant i brigadës që kreu krime lufte në Kosovë, Deliqi zgjidhet nënkryetar i Parlamentit të Serbisë

Ishte komandant i brigadës që kreu krime lufte në Kosovë, Deliqi zgjidhet nënkryetar i Parlamentit të Serbisë

Bozhidar Deliq, që komandoi në brigadën e 549 të motorizuar të ushtrisë jugosllave, që ishte përfshirë në vrasjet masive të civilëve në Kosovë, është zgjedhur si një nga shtatë nënkryetarët e rinj të Parlamentit të Serbisë.

Gjenerali i pensionuar i ushtrisë jugosllave që ishte përfshirë në sulmet më famëkeqe në fshatrat e Kosovës gjatë vitit 1999, është zgjedhur si nënkryetar i Parlamentit të Serbisë, transmeton Telegrafi.

Deliq ishte propozuar për këtë post nga e djathta serbe “Shpresa” (NADA). Ai është një nga tre personat nga opozita që është zgjedhur si nënkryetar me 197 vota.

Në vitin 2013, një organizatë joqeveritare kishte publikuar një dosje që përmbante dokumentacione për tetë ofensiva ushtarake përfshirë atë të brigadës së 549 të motorizuar të ushtrisë jugosllave, që kishte operuar në fshatrat e Kosovës në mars dhe prill të vitit 1999, që rezultoi me vrasjen e 885 civilëve.

Në sulmet në fshatrat Mejë dhe Korenicë gjatë 27 prillit të vitit 1999, policë, ushtarë dhe paramilitarë serbë të kësaj brigade, kishin vrarë të paktën 377 civilë, 36 prej të cilëve ishin nën 18-vjeç.

Është interesant se Deliq asnjëherë nuk e ka mohuar faktin se ka qenë komandant brigade, por ka refuzuar kategorikisht akuzat për kryerje të krimeve të luftës

Shpërndaje në: