Islami: Ramën ta dënojmë me gijotinë

Islami: Ramën ta dënojmë me gijotinë

Kastriot Islmai apo i njohur ndryshe me epitetin “Kaçi i bardhë” vijon të publikojë  tezat e tij për progresin e Shqipërisë.

Ish deputeti socialisto-demokrat thotë se duhen zgjedhje të parakohëshme siç kërkon kreu i Foltores Sali Berisha.

Islami bën thirrje për ndëshkimin e kryeministrit Edi Rama.

Shkrimi i plotë

Opozita ka kërkuar zgjedhje të parakohshme. Kjo është e nevojshme, por nuk do të mjaftonte për të nxjerrë vendin nga humnera ku gjendet apo ndaluar rrukullisjen e saj më thellë. Që vendi të futet në rrugën e normalitetit dhe të mos zhytet më thellë apo të rikthehet përsëri në të njëjtën trajektore vdekje ku e futi “rilindja”, duhet ndëshkim.  Ndëshkimi do të ishte një element që do të gjeneronte shpresë  për të rinjtë që të mos emigrojnë.

Për të fituar përkrahjen masive të qytetarëve, duhet të ndëshkohen veçanërisht rastet e kapjes së shtetit nga kupola e qeverisë së tij dhe të sekuestrohen të gjithë pasuritë e politikanëve oligarkë, të biznesmenëve oligarkë e të gjithë manjatëve të medias; të ndëshkohen të gjitha rastet e lidhjes së qeverisë me oligarkët biznesmenë, zhvatës të pasurisë e pronës publike e private, me kriminelët e të sekuestrohen të gjithë pasuritë e vëna prej tyre përmes aferave korruptive; të ndëshkohen të gjithë rastet e lidhjes së qeverisë me trafikantët, brenda e jashtë vendit e të sekuestrohen pasuritë e vendosura nga të gjithë oligarkët biznesmenë, manjatët e medias e trafikantët e lidhur me politikanët në pushtetit qendror e lokal, pa përjashtuar ato të vendosura në offshore apo investuar në kullat gjigante; të ndëshkohet rëndë po ashtu blerja e votave me paratë e korrupsionit e kërcënimi i votuesve nga kriminelët.

Por së pari, duhet të ndëshkohet, ideatori, frymëzuesi, organizatori e përfituesi kryesor i kësaj skeme korruptive e kriminale. S’mjafton që ky personazh të japë dorëheqjen si kryeministër, por duhet të ndëshkohet:

si kryeoligarku, që zotëronte ditën e parë në karrigen e kryeministrit 200 milionë euro pasuri të paligjshme;

si personi që ka ideuar e realizuar lidhjet me krimin dhe ka promovuar kriminelët si deputetë e zyrtarë të lartë; si organizatori i kultivimit të kanabisit dhe trafikut të drogave të forta; si ideatori i vjedhjes së pasurisë kombëtare e private dhe buxheteve të shtetit;

si ideatori dhe orkestruesi i blerjes së votave dhe kërcënimit të votuesve;

si ideatori dhe organizatori i keqpërdorimit të reformës në drejtësi për të vënë nën kontroll gjyqësorin e përdorur atë kundër opozitarëve politikë e kundërshtarëve;

si ideatori i nxitjes së emigrimit masiv dhe cenimit të rëndë të identitetit e ekzistencës së kombit;

si njëri nga lojtarët më të rrezikshëm të destabilitetit të rajonit përmes rolit të tij kryesor në zbatimin e projektit famëkeq të “Ballkanit të Hapur” që po e çon vendin e rajonin në konflikt të armatosur.

Duhet të ndëshkohen po ashtu disa nga anëtarët më aktivë të kupolës së ngushtë qeverisëse, pranë tij apo që formalisht janë larguar për të mos rënë në sy, por që punojnë për sektin. Në filtrin e institucioneve ndëshkuese duhet të kalojnë të gjithë ata punonjës që për përfitime kanë firmosur shkresa të paligjshme.

Që të realizohet ky ndëshkim kaq masiv e i thellë duhet të ringrihet dhe bëhet funksional shteti ligjor që nis duke rivendosur në shinat e ndershmërisë dhe të normalitet reformën në Drejtësi, e cila me pak vullnet do të mund të gjeneronte një gjyqësor profesional, me integritet dhe mbi të gjitha të pavarur nga politika dhe që ndëshkon çdo politikan apo ish-politikan të korruptuar, të lidhur me krimin e trafiqet. Dhe kjo nuk është aspak e vështirë të realizohet, por nëse s’do të realizohet qeverisja e ardhshme s’do të mund të rezistojë as 3 muaj sepse do të bllokohet apo hidhet në erë nga anëtarët e sektit kriminal që kanë grabitur shumë para e kanë kapur mjaft pushtet.

Shpërndaje në: