Ismaili: Ministri Zemaj po blen kohë lidhur me vendimin për çmimin e barnave, po bëhet partner i krimit dhe korrupsionit

Periskopi.com Lajme

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili ka shprehur shqetësimin lidhur me shfuqizimin e udhëzimit administrativ për unifikim të çmimit të barnave nga ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj.

Ismaili ka thënë se edhe tërheqja nga vendimi i gabuar i Zemajt dhe vendimi për themelimin e komisionit të ri lidhur me këtë çështje, është vetëm blerje kohe nga ana e ministrit dhe se ata që do të pësojnë janë vetëm qytetarët, transmeton Periskopi.

“Siç e dini para dy ditësh duke shfrytëzuar situatën e pandemisë,  ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj shfuqizoi udhëzimin administrativ për rregullimin unifikimin e çmimit të barnave. Kjo çështje prek secilin prej nesh, sepse prek pjesën më të ndjeshme të shoqërisë, të sëmurët tanë. Prandaj e kemi për detyrë si deputetë të sigurohemi për ta mbrojtur këtë udhëzim”, ka thënë Ismaili.

“Udhëzimi ndalonte pasurimin e disa individëve dhe varfërimin e popullit. U pa që presioni publik e shtyri ministrin ta anulojë vendimin e tij të gabuar. Komisioni i ri do ta zvarrisë deri në pafundësi rregullimin e çmimeve. Me një fjalë, ministri Zemaj po blen kohë. Fatura e blerjes së kohës dëmton qytetarët e superfitmin e marrin zhvatësit e parasë publike. Për 20 vjet më radhë Kosova ka blerë mbi 6 milionë euro barna më shtrenjtë. Shumë gjatë paraja publike është keqpërdorur, barnat për kancer që kanë mundur të blihen për 3 euro, janë blerë për 30 euro”, ka thënë Ismaili./Periskopi/

 

 

Shpërndaje në: