Ismaili revoltohet me emrat e rinj në Kryesinë e PDK-së: Kadri Veseli bënte prurje vizionare – unë isha një prej tyre

Ismaili revoltohet me emrat e rinj në Kryesinë e PDK-së: Kadri Veseli bënte prurje vizionare – unë isha një prej tyre

Ish-deputetja e PDK’së Besa Ismaili, është revoltuar pas zgjedhjes së kryesisë së re të  kësaj partie.

Ajo ka shprehur pakënaqësi, për shumë emra që tashmë janë pjesë e kryesisë, ndërkaq ish-deputetja në fjalë nuk bën pjesë më as si anëtare e kësaj partie.

Znj. Ismaili thotë se “Prurjet e Kadri Veselit ishin çdoherë vizionare. Sikurse veprimet e tij politike. Ashtu edhe niveli organizativ. Me një diskurs të matur, e shërbyes”.

“Uragani i padrejtësisë që e mori atë në Hagë, pafuqizoi edhe aktivitetin tim.”, ka shkruar znj.Ismaili

Postimi:

Prurjet e Kadri Veselit ishin çdoherë vizionare. Sikurse veprimet e tij politike. Ashtu edhe niveli organizativ. Me një diskurs të matur, e shërbyes.

Unë pata fatin të jem rekrute në Partinë Demokratike të Kosovës nga z.Veseli. Pjesë e procesit reformues për rikthimin e integritetit politik partiak dhe më gjerë. Vendimi i tij doli i suksesshëm, ku populli më besoi në kuvend.

Uragani i padrejtësisë që e mori atë në Hagë, pafuqizoi edhe aktivitetin tim.

Si prurje e partisë, jam shumë e pakënaqur dhe shpreh revolten time me shumë emra të përfolur dhe të etabluar në strukturen e re udhëheqëse në parti. Është e pakuptimtë që figurat zbehëse të votes pro-PDK të sistemohen sërish. Dhe emrat “e rinj” janë larg më të dobët se që pritej, dhe aspak premtues për nevojat aktuale të partisë. Kjo do të ketë kosto. Dhe jam e bindur se ka mundësi për më shumë dhe për shumë më mirë. Ky është dhe do të jetë alarmi im publik.

Por natyrisht, aktiviteti im politik do të jetë në shërbim të Partisë Demokratike të Kosovës, si institucion, si emanet i brezave që po përballen me padrejtësinë ndërkombëtare.

Do të vazhdoj parreshtur dhe besnikërisht të jem konstruktive. Kryetari Veseli  do të më gjej aty ku dhe si më ka lënë: parimore, me integritet, e artikuluar dhe e zëshme ndaj padrejtësive dhe gabimeve, kontribuese dhe vetmohuese, në shërbim të qytetarëve, strukturave dhe aktivistëve të PDK-së.

Natyrisht aktiviteti im politik vazhdon edhe më fuqishëm dhe do të ketë fokus avokimin e opinionit ndërkombëtar për daljen faqebardhë të çlirimtarëve. Liria e tyre është misioni ynë, misioni im, dhe do të duhej të ishte edhe mision i institucioneve të Republikës së Kosovës.

Shpërndaje në: