Itali: Shënohet viktima e pestë nga koronavirusi

Itali: Shënohet viktima e pestë nga koronavirusi

E përditshmja italiane Corriere della Sera shkruan se pritet që numri i të infektuarve me coronavirus në Itali të rritet nga çasti në çast, dhe se makthi në Itali ka filluar të premten në orët e para të mëngjesit kur ndërroi jetë personi i parë i infektuar me virusin vdekjeprurës.

Për vetëm 48 orë kanë humbur jetën 5 persona, kurse rajonet e Lombardisë dhe Veneto janë bllokuar totalisht – janë futur në karantinë, derisa nëpër rrugë kanë dalë policia dhe ushtria, e shkollat, kinematë, pishinat e shumë objekte tjera janë mbyllur për të paktën një javë, transmeton Telegrafi.

Personi kyç në agjencinë e mbrojtjes civile, Angelo Boreli, ka thënë se nuk duhen fajësuar mjekët pasi nuk kanë identifikuar me kohë simptomat e coronavirusit. Kjo e përditshme shkruan se në spitalin e Kodonjës ku është hospitalizuar pacienti i parë i prekur me coronavirus, janë infektuar edhe pesë mjekë dhe infermierë, derisa në spitalin e Doles ku është hospitalizuar edhe një person i infektuar, janë infektuar edhe tre punonjës shëndetësorë. “Nuk bëhet fjalë për numrin e testeve të realizuara. Ka pasur situata kur nuk kemi arritur t’i identifikojmë me kohë simptomat e coronavirusit. Mjekët kishin probleme me identifikimin e tyre”, ka shtuar Boreli. Personi i parë i infektuar me coronavirus në Itali është një 38-vjeçar, i cili javën e kaluar u shfaq në spitalin e Kodonjës me probleme shëndetësore, megjithatë ata e kishin liruar duke i thënë se ka simptoma të gripit.

Por, ajo çfarë e bën më të mistershëm tërë këtë histori, është fakti se ky burrë nuk kishte udhëtuar askund jashtë vendit. Disa ditë më pas, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua edhe më shumë, kështu u rikthye në spital ku edhe u zbulua se është infektuar me coronavirus.

 

Shpërndaje në: