Italia ka një porosi për Qeverinë e Kosovës para se të hyj në fuqi reciprociteti i shtyrë me Serbinë

Italia ka një porosi për Qeverinë e Kosovës para se të hyj në fuqi reciprociteti i shtyrë me Serbinë

Italia mbështet dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe shtyn për një moderim të toneve dhe veprimeve nga të dyja palët.

Këtë e ka përsëritur ambasadori italian në Prishtinë, Antonello De Riu, në një prononcim për agjencinë italiane të lajmeve “Nova” lidhur me tensionet e ndodhura dje mes dy vendeve, për shkak të hyrjes në fuqi, të shtyrë më pas për një muaj, të dy masave të vendosura nga Qeveria e Kosovës: regjistrimin e targave të makinave dhe dokumenteve të përkohshme për qytetarët e etnisë serbe.

De Riu thekson se Italia e mirëpret “vendimin e Prishtinës për t’u dhënë qytetarëve serbo-kosovarë një periudhë më të gjatë kohore, më vetëdijen se masat në fjalë, siç theksoi edhe i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, janë plotësisht legjitime sipas marrëveshjeve të mëhershme të Brukselit.”

Po ashtu, ambasadori këshillon që autoritetet e Kosovës “të bëjnë të gjitha përpjekjet për t’u komunikuar qartë qytetarëve që banojnë në veri, procedurat e reja për hyrjen dhe daljen e njerëzve dhe automjeteve, duke siguruar një kohë të përshtatshme për zbatimin e tyre”.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu
Njëherësh, ai thekson që Prishtina dhe Beogradi të angazhohen me të vërtetë për të siguruar që lëvizja e lirë e qytetarëve të tyre përkatës të sigurohet në përputhje me parimet e Bashkimit Evropian, ku të dyja vendet dëshirojnë të bëhen pjesë.

Në fund, shefi i misionit diplomatik nënvizon nevojën për uljen e tensioneve pasi në Kosovë pikërisht këto ditë arrin mesazhi i paqes përmes Sunny Hill Festival, nga data 4-7 gusht me promovimin e këngëtares Dua Lipa, ku do të merr pjesë edhe këngëtari italian, Mahmood.

“Nisma është bërë edhe me “mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë dhe Ambasadës dhe me mijëra të rinj të ardhur nga Vendet e rajonit të Ballkanit dhe pjesës tjetër të Evropës”, ​​përfundoi ambasadori De Riu.

Shpërndaje në: