Italia: Koha për dialog dhe normalizim të plotë mes Kosovës dhe Serbisë

Italia: Koha për dialog dhe normalizim të plotë mes Kosovës dhe Serbisë

Ministri italian i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani kërkoi të enjten nga Kosova dhe Serbia normalizim të plotë të marrëdhënieve, pasi një ditë më parë u arrit një marrëveshje mes dy vendeve për targat.

Pas telefonatave me liderët nga Kosova dhe Serbia, Tajani tha se “tani është e nevojshme të vazhdohet në rrugën e dialogut dhe normalizimit të plotë të marrëdhënieve”.

Tajani, i cili i vizitoi kryeqytetet e dy vendeve, Prishtinën dhe Beogradin, të martën, bashkë me ministrin italian të Mbrojtjes, Guido Crosetto, shtoi se “e ardhmja e Ballkanit është në Evropë dhe Italia është e gatshme të luajë rol udhëheqës në këtë rajon”.

Italia aktualisht e drejton misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in, dhe është shteti me kontributin më të madh sa i përket numrit të trupave në Kosovë.

Para takimit të së mërkurës në Bruksel mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, aleatët perëndimorë kishin paralajmëruar se mosmarrëveshja mund të përshkallëzohet në dhunë ndëretnike.

Mirëpo, një gjë e tillë u parandalua gjatë negociatave në Bruksel, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kosova është pajtuar të mos vazhdojë tutje me zbatimin e vendimit për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale serbe në RKS, kurse Serbia që të mos lëshojë targa të reja serbe, sikurse ato KM (Kosovska Mitrovica, Mitrovica e Kosovës).

Më 22 nëntor, me kërkesë të SHBA-s, Kurti e kishte shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS, Republika e Kosovës, për t’u dhënë mundësi bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa ilegale serbe në RKS, Republika e Kosovës, ka pasur tri faza.

Faza e parë e qortimit është zbatuar deri më 22 nëntor. Faza e dytë parashihte gjobën prej 150 eurosh për shoferët e makinave me targa të tilla dhe më pas prezantimin e targave të përkohshme deri më 21 prill, datë pas së cilës ishte planifikuar që të mos kishte më makina me targa serbe.

Serbia, e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës./REL

Shpërndaje në: