Ja garancia që Kurti e jepte për Rexhep Selimin para Gjykatës Speciale

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në cilësinë e kryetarit të Vetëvendosjes i pati shkruar para disa mujave një letër gjyqtarit të Gjykatës Speciale, Nicolas Guillou.

Në këtë letër që bartë datën 1 dhjetor, Kurti, ka kërkuar nga Guillou që Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, të lirohet me kusht.

Por, tani pas refuzimit të Gjykatës Speciale që ish-krerët e UÇK’së të gjykohen në liri, është riaktualizuar edhe letra e Kurtit dërguar gjyqtarit të Speciale.
Çfarë kishte shkruar Kurti në letër drejtuar Gjykatës Speciale, shkruan Periskopi.

Aty Kurti ka folur për Selimin dhe raportin me të, duke thënë se prej kur e njeh atë, ai ka qenë i përpiktë në detyrat që ka marrë përsipër.

“Rexhep Selimi si qytetar dhe shtetas i Kosovës ka treguar respektin maksimal dhe ka vepruar gjithmonë në përputhje me ligjet dhe rregullat e Republikës së Kosovës. Çdo pretendim i ngritur lidhur me faktin që ai mund ta paraqes rrezik të ikjes bie ndesh me karakterin e Rexhepit dhe përvojën tonë. Për të gjithë ata që e njohin Rexhepin (përfshirë edhe mua) është e paimagjinueshme që ai mund të kryejë një veprim të tillë”, thuhet në letrën e shkruar nga Kurti.

“Mbetem me shpresë që ju si gjyqtar do të merrni në konsideratë gjithë vlerësimin për karakterin dhe integritetin e Rexhepit kur të gjykoni mbi kërkesën e tij për lirim me kusht”, përfundon letra./Periskopi/

Shpërndaje në: