Japonezët në Okinawa protestojnë kundër bazave ushtarake amerikane
Dhjetëra mijëra protestues u tubuan sot në Nahi, kryeqytin e ishullit Okinawa për të protestuar kundër bazës ushtarake amerikane dhe veprave penale të personelit amerikan në këtë rajon.
Demonstruesit, sipas vlerësimeve të tyre rreth 65.000 vetë, shprehën zemërimin e tyre kundër SHBA-ve pasi një ish-marins në bazën ushtarake në Okinawa në prill dyshohet se ka përdhunuar dhe vrarë një vajzë, banore të kësaj zone.
Rasti ka shtuar antipatinë ndaj bazave ushtarake amerikane në këtë rajon, destinacion i popullarizuar turistik japonez.
Protesta, e organizuar në parkun e qytetin Naha, filloi me një minutë heshtje në shenjë përkujtimi të viktimës, 20 vjeçares Rina Shimabukuro.
Dhjetëra mijëra demonstrues formuan një zinxhir rreth bazës kryesore ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shenjë kundërshtimi ndaj pranisë amerikane në Japoni. Me pankarta qartazi porositën: “Mos përdhunoni Okinawan”, “Mbyllni të gjitha bazat ushtarake”.
Protesta, në organizim të sindikatës lokale dhe një grup qytetarësh, kaloi qetë dhe nuk u raportua për asnjë të arrestuar dhe incidente.
Baza ushtarake amerikane shtrihet në rreth 20 për qind të sipërfaqes së Okinawa-s, me 30.000 ushtarë të stacionuar.
Pas Luftës së Dytë Botërore Okinawa ka qenë nën drejtimin amerikan deri në vitin 1972, kur iu kthye Japonisë. Është bërë një nga vendet kryesore amerikane në Paqësor. SHBA-të në Okinawa kanë ndërtuar shumë baza detare dhe ajrore, dhe poligonë që ka shkaktuar kundërshtinë e banorëve lokalë.



